Aksion i madh, Arrestohen 7 serbë
Një aksion i madh i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka rezultuar me arrestimin e shtatë zyrtarëve serbë në Graçanicë dhe Lipjan, të cilët dyshohen për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrim presioni politik ndaj punëtorëve në arsim dhe shëndetësi, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se aksioni është zhvilluar më 19 maj 2026 në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Të arrestuarit janë: Milica Dimiq, Ljubisha Karagjiq, Nebojsha Rashiq, Boban Petroviq, Mirjana Dimitrijeviq, Sasha Mlladenoviq dhe Bratisllav Llaziq.
Sipas hetimeve të zhvilluara nga DHKEK, katër nga të dyshuarit ushtronin funksione si drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa tre të tjerët drejtonin institucione shëndetësore në komunat e Graçanicës dhe Lipjanit.
Ata dyshohet se kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës për disa punëtorë të arsimit dhe shëndetësisë, duke përdorur si arsyetim “përhapjen e urrejtjes” dhe “politika kundër interesit të popullit serb në Kosovë”.
Megjithatë, sipas dëshmive të siguruara deri më tani, ekziston dyshimi se largimet nga puna lidhen drejtpërdrejt me bindjet dhe përcaktimet politike të viktimave, çka sipas hetuesve përbën formë presioni dhe ndikimi ndaj votuesve.
Hetimet kanë zbuluar po ashtu se institucionet ku kanë punuar viktimat funksionojnë dhe financohen sipas programeve të Serbisë.
Gjatë aksionit policor janë sekuestruar tetë telefona celularë dhe një USB, të cilat dyshohet se mund të përmbajnë prova relevante për rastin.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Në cilësinë e ankuesve dhe dëshmitarëve deri më tani janë intervistuar pesë persona.
Rasti po hetohet për veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
