I shkroi këngën që del sot, humb jetën papritur bashkëpunëtori i Era Istrefit
Këngëtarja e njohur Era Istrefi pritet të publikojë sot projektin e saj më të ri muzikor, një këngë që mban një domethënie jashtëzakonisht prekëse dhe emocionale për të.
Përmes një postimi në Instagram Story, Era ka zbuluar se ky projekt mban autorësinë e kantautorit të njohur Talay Riley, jeta e të cilit u ndërpre tragjikisht më parë.
Talay Riley, emri i vërtetë i të cilit ishte Mark Orabiyi, ishte një artist i vlerësuar me çmimin prestigjioz “Grammy”, i njohur për bashkëpunimet me yje botërorë si Dua Lipa, Jessie J dhe Usher.
Kantautori 35-vjeçar ndërroi jetë tragjikisht më 5 qershor, pasi u ther me thikë në kopshtin e një shtëpie në lindje të Londrës. Hetimet konfirmuan se shkak i vdekjes ishin plagët e marra nga një mjet i mprehtë në pjesën e kraharorit.
E prekur thellësisht nga kjo humbje, artistja shqiptare ka ndarë me ndjekësit e saj një mesazh mjaft të ndjerë:
“Jam e thyer shpirtërisht. Nesër publikoj ‘I’m Dying to Feel Alive’, një këngë e shkruar nga dikush, jeta e të cilit u ndërpre tragjikisht mjaft herët. Është e vështirë të shprehet me fjalë se sa joreale dhe e dhimbshme ndihet të dish se personi pas këtyre teksteve të bukura nuk do të jetë këtu për të parë ndikimin që ato do të kenë. Jam thellësisht mirënjohëse që kam punuar me të dhe që mbaj një pjesë të vogël të trashëgimisë së tij përmes kësaj kënge. Pusho në paqe. Fjalët e tua do të vazhdojnë të jetojnë përmes muzikës dhe përmes çdo njeriu që ke prekur.”
Ky projekt, i cili lansohet gjatë ditës së sotme, pritet të shpërfaqë një anë më melankolike dhe tejet personale të Erës, duke u kthyer në një tribut të ndjerë për të nderuar kujtimin dhe talentin e jashtëzakonshëm të të ndjerit Talay Riley. /Prive By Liberta Spahiu

