“Lamtumirë, Lorik” – familjari me fjalë prekëse pas aksidentit fatal ku vdiq kosovari në Mirditë

Një 38-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën mbrëmjen e së enjtes pas një aksidenti të rëndë me motoçikletë në autostradë, në afërsi të fshatit Fan të Mirditës.

Viktima është identifikuar si Lorik Deci. Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur edhe nga një familjar, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta.

“Lamtumirë, Lorik… Ka lajme që ta thyejnë zemrën. Ikja jote e parakohshme na tronditi të gjithëve”, ka shkruar familjari.

Sipas Policisë së Shqipërisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00. Dyshohet se 38-vjeçari ka humbur kontrollin mbi motoçikletën, duke dalë nga rruga.

Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Rrëshenit, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Në vendin e aksidentit kanë dalë shërbimet policore dhe grupi hetimor, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit tragjik.

Familjarët dhe të afërmit e kanë përshkruar Lorikun si një person që do të mbahet mend për buzëqeshjen dhe kujtimet që la pas, duke shprehur ngushëllime për familjen Deci, miqtë dhe të gjithë të afërmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *