E dhimbshme: Sot i jepet lamtumira e fundit Arianit Çetaj, djalit të rapsodit të njohur Hasan Çetaj
Një ngjarje e rëndë ka tronditur familjen Çetaj në Pejë, pas vdekjes së papritur të 34-vjeçarit Arianit Çetaj, i cili u gjet pa shenja jete në shtëpinë e familjes.
Sipas informacioneve të bëra publike, Arianiti kishte qenë vetëm disa orë më herët në një dasmë në Prizren, së bashku me babain dhe familjarët. Familja ishte kthyer në shtëpi rreth orës 04:00 të mëngjesit, ndërsa rreth orës 09:30 ai është gjetur pa shenja jete nga babai dhe vëllai i tij.
Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit, krimteknikët dhe Prokurori i Shtetit. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa rrethanat e vdekjes pritet të sqarohen pas përfundimit të procedurave hetimore dhe mjekoligjore.
Ndërkohë, familja Çetaj ka njoftuar për ceremoninë e varrimit të Arianitit, e cila do të mbahet sot, më 7 gusht, në orën 17:00, në varrezat e qytetit të Pejës.
E pamja do të mbahet në shtëpinë e familjes Çetaj, në rrugën “Gavrill Dara”, në Lagjen Kristal.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe dashamirët se dje u nda nga jeta djali ynë i dashur, Arianit Çetaj”, thuhet në njoftimin e familjes.
Në fund, familjarët kanë përcjellë edhe një mesazh prekës për të ndjerin:
“Pusho në paqe, Arianit. Kujtimi dhe dashuria për ty do të jetojnë përgjithmonë në zemrat tona.”
