Reagon pronari i restorantit në Radoniq, i çon “selame” Fitore Pacollit

Pronari i Hotel & Restaurant “Liqeni i Dukagjinit” në Radoniq ka reaguar pas deklaratave publike të ministres në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli, lidhur me mbylljen e këtij biznesi.

Në reagimin publik, drejtori i kompanisë “Liqeni Dukagjin” Sh.P.K. ka thënë se restoranti vazhdon të jetë i hapur dhe se deri më tani nuk u është dorëzuar apo komunikuar zyrtarisht ndonjë vendim për mbylljen e aktivitetit, shkruan IndeksOnline.

“Deri në këtë moment, kompanisë sonë nuk i është dorëzuar apo komunikuar zyrtarisht asnjë vendim për mbylljen e aktivitetit”, thuhet në reagim.

Ai ka mohuar gjithashtu se biznesi ka pranuar ndonjë vërejtje apo konstatim zyrtar se aktiviteti i tij ka shkaktuar ndotje apo dëmtim të cilësisë së ujit.

Reagimi i plotë:

“Si Drejtor i kompanisë Liqeni Dukagjin Sh.P.K., ndihem thellësisht i shqetësuar dhe i prekur nga deklarata publike e Ministres në detyrë të Mjedisit, znj. Fitore Pacolli, lidhur me mbylljen e Hotel & Restaurant Liqeni i Dukagjinit.

Dua t’i njoftoj klientët tanë, bashkëpunëtorët dhe opinionin publik se Hotel & Restaurant Liqeni i Dukagjinit është i hapur dhe vazhdon aktivitetin e tij normalisht.

Deri në këtë moment, kompanisë sonë nuk i është dorëzuar apo komunikuar zyrtarisht asnjë vendim për mbylljen e aktivitetit.

Gjithashtu, dua të theksoj qartë se ne nuk kemi pranuar asnjë vërejtje apo konstatim zyrtar se veprimtaria jonë ka shkaktuar ndotje, dëmtim apo prishje të cilësisë së ujit, ashtu siç është lënë të kuptohet në deklaratat publike.

Liqeni Dukagjin Sh.P.K. posedon dokumentacionin përkatës për ushtrimin e veprimtarisë së saj, dhe jemi plotësisht të gatshëm që çdo çështje ta sqarojmë dhe ta trajtojmë përpara institucioneve kompetente. Ne i respektojmë institucionet e Republikës së Kosovës dhe do t’i përgjigjemi çdo procedure institucionale dhe ligjore me transparencë të plotë.

Ajo që na ka prekur veçanërisht është fakti se një deklaratë e tillë publike prek jo vetëm emrin dhe reputacionin e kompanisë, por edhe mbi 60 punëtorë të punësuar në biznesin tonë. Pas secilit prej tyre qëndron një familje që mbahet nga paga dhe puna e ndershme që realizohet çdo ditë në këtë kompani.

Prandaj, jemi thellësisht të prekur nga deklarata e dhënë, sepse publikimi i lajmit për mbylljen e biznesit, pa na u dorëzuar paraprakisht një vendim zyrtar, ka shkaktuar shqetësim te klientët, partnerët, punëtorët dhe familjet e tyre, si dhe dëm serioz në imazhin e kompanisë sonë.

Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se respektimin e procedurave ligjore, transparencë dhe trajtim të drejtë institucional.

Nëse ekziston ndonjë pretendim ndaj kompanisë sonë, jemi të gatshëm të përballemi me të përmes institucioneve përkatëse dhe të paraqesim çdo dokument që kërkohet.

Deri atëherë, i sigurojmë të gjithë klientët dhe bashkëpunëtorët tanë se:

HOTEL & RESTAURANT LIQENI DUKAGJIN VAZHDON TË JETË I HAPUR DHE NË SHËRBIM TË KLIENTËVE TË TIJ.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *