13.2 C
Pristina
E enjte, 28 Nëntor, 2024

“Ligji për Pagën Minimale ka dëmtuar qytetarët”

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se brenda shtat muajve të këtij vit është vërejtur një rënie e ndjeshme në numrin e ankesave krahasuar me vitin e kaluar, ku kjo rënie ai ka thënë se ndërlidhet si rezultat i ngjarjeve që kanë ndodhur brenda viteve, ku gjatë vitit 2023 pati një fluks të madh ankesash për shkak të ndryshimeve ligjore, si ligji i pagave, që ndikuan në të drejtat e qytetarëve.

Qelaj ka thënë se me Ligjin për rritjen e pagës minimale, nuk është arritur të harmonizohet paga me koston e jetesës, inflacionin dhe rritjen e çmimeve, kështu duke ndikuar që qytetarët të jetojnë më keq se sa që kanë jetuar para disa viteve.

Qelaj ka thënë se për këtë vit ankesat që vazhdojnë të dominojnë janë për zvarritjet në procedurat gjyqësore.

“Këtë vit është vërejt një rënie e numrit të ankesave krahasuar me vitin paraprak, kjo vjen edhe si rezultat i ngjarjeve që kanë ndodhur brenda viteve. E zëmë se në vitin 2023 ka pasur një fluks të madh të ankesave në fillim të vitit, për shkak të ligjit të pagave dhe disa ndryshimeve të tjera ligjore që kanë afektuar dhe kanë prekur të drejtat e shumë qytetarëve dhe ka pas një numër jashtëzakonisht të madh të ankesave. Dhe këtë vit kemi rënë në nivelin normal të standardit të pranimit të ankesave si dhe para vitit 2023. Vazhdojnë të vijnë ankesa me çështje dhe shqetësime që lidhen me të drejtat e njeriut në sektorë dhe fusha, edhe vitet e tjera kemi pas më shumë ankesa, për nga natyra e ankesave vazhdojnë me dominuar ankesat për zvarritjet në procedura gjyqësore”, ka thënë ai.

Qelaj theksoi se, ndonëse ka një rënie në numrin e përgjithshëm të ankesave, shqetësimet e raportuara vazhdojnë të jenë të ndjeshme, sidomos në lidhje me zvarritjet në procedurat gjyqësore të cilat zgjasin me vite.

Ai tha se këto çështje lidhet edhe me reformën në drejtësi dhe me vetë performancën e gjyqësorit si dhe me performancën e autoriteteve publike, që në situata të caktuara kanë prodhuar numër të madh të rasteve gjyqësore për shkak të çështjeve që nuk janë zgjidhur në procedurë administrative mirë.

“Është një shqetësim shumë vjeçar që e kemi përsëritë vazhdimisht, këtë vit kemi nxjerr një numër të madh të raporteve sepse kemi parë që janë raste gjyqësore që kanë zgjatë shumë vite dhe nuk kanë marrë një epilogë dhe nuk ka një veprim të gjykatave në drejtim të procedimit të atyre çështjeve dhe në këto raste konstatojmë se ka diskriminim dhe kërkojë nga gjykata me i’u dhënë prioritet atyre rasteve dhe me filluar procedurat gjyqësore. Është inkurajuese fakti që gjykata vazhdimisht përgjigjet dhe është bashkëpunuese me institucionet e Avokatit të Popullit në këtë drejtim por që problemi në thelb nuk po zgjidhet edhe pse që shumë vite është si problematikë që e dinë të gjithë, dhe kjo ndërlidhet edhe me reformën në drejtësi dhe me vetë performancën e gjyqësorit si dhe me performancën e autoriteteve publike, që në situata të caktuara e kanë prodhuar numër të madh të rasteve gjyqësore për shkak të çështjeve që ndoshta nuk janë zgjidhur në procedurë administrative mirë, dhe kemi pas një numër shumë të madh të padive në procedurë gjyqësore për shkak të kontratës kolektive, mos zbatim të kontratës kolektive”, ka shtuar ai.

Avokati i Popullit tha se kanë pranuar ankesa nga qytetarët edhe shqetësimet e tyre në lidhje me ofrimin e shërbimeve shëndetësore, që lidhen me mungesa të barnave në listën esenciale, ku qytetarët detyrohen të paguajnë për terapitë që duhet të ishin falas.

Probleme me ofrimin e shërbimeve esenciale, sipas Qelajt, janë duke pasur edhe personat me aftësi të kufizuara.

“Një shqetësim tjetër që kemi mundur të kuptojmë nga ankesat që kemi pranuar e që është shqetësim i qytetarëve është ofrimi i shërbimeve shëndetësore, kryesisht mungesa e barnave në listën esenciale, barna që përshkruhen nga mjekët dhe qytetarët nuk arrijnë me i marrë falas edhe pse janë terapi të përshkruara dhe ata detyrohen me i paguar vetë. Shpeshherë këto janë shuma të papërballueshme për familjen dhe vendosin në një situatë shumë të rëndë, kemi informacion nga Ministria e Shëndetësisë që është bërë këtë vit shikimi i listës esenciale të barnave që kompensohen ose sigurohen nga shteti, por që një numër i madh i medikamenteve kanë mbetur jashtë kësaj liste dhe qytetarët detyrohen me i siguruar vetë dhe kjo i paraqet vështirësi shumë të madhe”.

“Përveç kësaj një shqetësim tjetër që mundemi me konstatuar nga ankesat e qytetarëve lidhet me ofrimet e shërbimeve esenciale sidomos për personat me aftësi të kufizuara, fëmijë dhe persona të tjerë kemi pas ankesa për shkak të mungesës së ofrimit të shërbimeve sociale nga ana e shtetit, pamundësimi me i marrë këto shërbime në organizata ose në forma të tjera dhe që në disa raste qytetarët kanë mbetur pa këto shërbime. Qytetarët në momentin që i shtjerrin këto mundësi dhe mjetet e tjera juridike dhe nuk arrijnë me i realizuar drejtat e tyre, ankohen edhe për raste të tjera nuk janë vetëm këto”, ka thënë ai.

Avokati ka theksuar se Ligji për rritjen e pagës minimale ka dëmtuar qytetarët dhe i ka lenë në një situatë të pa trajtuar mirë, sipas tij, si shkak i politikave jo të harmonizuara dhe të pamenduara ka bërë që grupe të caktuara që marrin kompensim nga shteti, pagat që marrin nuk janë të harmonizuar me koston e jetesës, me inflacionin e me rritjen e çmimeve duke bërë që këta qytetarë të jetojnë më keq se sa që kanë jetuar para disa viteve.

“Tek ofrimi i shërbimeve sociale mendoj që zvarritja e aprovimit të Ligjit për financimin e Pushtetit Lokal ku është përcaktuar edhe granit specifik për çështjen sociale, pastaj mos përfshirja me Ligj i rritjes së kompensimeve që e marrin kategoritë  e financuara nga shteti. Përmes Ligjit për rritjen e pagës minimale besoj që i ka dëmtuar qytetarët dhe i ka lenë në një situatë të pa trajtuar dhe besoj që është dashtë me rregulluar çështja e këtyre qytetarëve pastaj me vazhduar me procedura për hartim të dispozitave që lejojnë edhe rritjen e pagës minimale. Aktualisht jemi në një situatë ku grupe të caktuara që financohen nga shteti ose marrin kompensim nga shteti për vite të tëra nuk ka pas një lëvizje që harmonizon ato mjete financiare që i marrin me koston e jetesës me inflacionin me rritjen e çmimeve dhe rritjen e standardit, dhe kjo e bënë që këta qytetarë me jetuar më keq se sa që kanë jetuar para disa viteve, pikërisht për shkak të politikave jo të harmonizuara dhe të pamenduara që të kemi mundësi me i trajtua këta qytetarë me dinjitetshëm dhe në proporcion me nevojat që ata i kanë”, ka thënë Qelaj. /EO/

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here