Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Sllatinë të Tetovës, ku nënë e bijë janë gjetur të vdekura në rrethana misterioze.
Sipas mediave vendase, nëna 36-vjeçe dhe e mitura 4 vjeçe janë gjetur të pajeta në shtëpinë e tyre, ndërsa babai dhe djali janë në gjendje të rëndë në Spitalin e Tetovës.
Ngjarjen e ka konfirmuar Policia e Tetovës, të cilët bëjnë të ditur se denoncimi është bërë rreth orës 14:00.
“Sot (8 -tetor) rreth orës 14:00 në SPB Tetovë T.J. nga Tearca në cilësinë e mjekut ka raportuar se është thirrur për intervenim në fshatin Sllatinë nga M.Z. nga Sllatina e Tetovës, e cila në shtëpinë e tyre familjare ka gjetur pa shenja jete vajzën e saj K.Sh (36) dhe mbesën e saj të mitur, ku është konstatuar vdekja”.
“Menjëherë pas raportimit është vepruar dhe është siguruar vendi ku ekipi nga SPB Tetovë në bashkëpunim me prokurorin publik kanë kryer inspektimin dhe me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë të të ndjerëve janë dorëzuar për obduksion, ndërsa bashkëshorti i saj R.Sh. (50) së bashku me djalin e tij të mitur, do të transferohen për ndihmë mjekësore në Spitalin klinik të Tetovës, e më pas personi R.Sh. do të ndalohet në Komisariat për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Tetovës.