Kështu thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale për Hafizin të cilit Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim pas hulumtimit shtatë mujor nga Albanian Post ku shihet se janë keqpërdorur dhjetëra miliona euro për shlyerjen e borxheve të kompanive për ambalazhimin e ujit dhe pijeve.
“Hafizi dyshohet se nga viti 2021 e tutje ka vepruar kundërligjshëm në uljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit dhe dhënien e lejeve ujore. Hafizi përgjatë viteve 2018-2024 ka deponuar kesh rreth 110 mijë euro. Vetëm në shkurt të këtij viti qarkullimi bankar i Hafizit ka qenë 395 mijë euro, ndërsa pagën mujore e ka 732 euro”, thuhet në dosjen që e ka parë Albanian Post.
Po ashtu, sipas organit të akuzës, Hafizi ka bërë deponime nëpërmjet llogarive bankare kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga persona të tjerë dhe kishte deklaruar rrejshëm pasurinë duke mbajtur të fshehur disa banesa në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
“Nuk e ka deklaruar banesën në rrugën ‘Bill Clinton’, por ashtu në formularin për deklarimin e pasurisë në vitin 2023 nuk e ka deklaruar objektin banesor në ‘Dardani’. Gjatë fazës së hetimeve është gjetur se i pandehuri Naser Hafizi prej vitit 2023 deri më 2024 i ka blerë katër banesa në Fushë Kosovë dhe Prishtinë. Nga zbulimi i të dhënave financiare rezulton se nuk ka të hyra të tjera, përveç pagës së tij të bashkëshortes dhe të babait të cilat arrin vlerën prej rreth 1 mijë 600 euro në muaj”, thuhet tutje në dosje.
Pos Hafizit, javën e kaluar ishte arrestuar edhe Sekretari i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi të cilit Gjykata ia caktoi një muaj arrest shtëpiak si i dyshuar se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Albanian Post pati raportuar se si në forma jo ligjore dhe me metodat të shpikura Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e ua ka shlyer borxhet milionëshe dhjetëra kompanive.
Sipas përllogaritjeve të para, nga dokumentacioni i siguruar nga Albanian Post, del se bëhet fjalë për rreth 90 milionë euro.
Në një procedurë të sofistikuar mashtrimi, ministri Aliu bashkë Hafizin, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.
Vetëm në pjesën e dosjes që e ka zbërthyer Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.
Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.