Ka disa ditë që shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, është përballur me kritika të ashpra nga opozita për shkak të përgjimeve që iu publikuan me Radoiçiqin e Simiqin. Në këtë situatë, rastisi që ajo ta ketë ditëlindjen. Kjo ishte edhe arsyeja që zyrtarët e VV-së përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe Dejona Mihalin t’i shkojnë në zyrë për t’ia uruar ditëlindjen.
Ndonëse nga opozita vizita e VV-së tek Kusari-Lila u mor me rezerva, madje nenkryetari i LDK-së Lutfi Haziri e quajti “funeral politik” për të, Kusari-Lila, ka reaguar duke falënderuar kolegët e saj publikisht për vizitën e bërë.
“Faleminderit që ishit pjesë e një dite të mbushur me urime dhe dashuri! Duke festuar jetën dhe çdo bekim që ajo sjell me njerëzit më të dashur”, shkroi ajo në FB krahas fotove të publikuara.