Abdixhiku: Elektoratin ma ke quajt hajvan, bashkëpunëtorët njerëz të Serbisë – me juve nuk bëj qeveri

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar gjuhën që është përdorur ndaj tyre nga Vetëvendosje.

Ai ka thënë se nuk pranon të bëjë qeveri, me ata që e kanë ofenduar LDK-në skajshmërisht.

“Elektoratin ma ke quajtur hajvan. Bashkëpunëtorët tanë i ke quajt njerëz të Serbisë. Unë me juve nuk bëj qeveri”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku,  po ashtu ka komentuar deklaratat e liderëve të Vetëvendosjes për gjuhën ndaj partisë që drejton.

Ai ka thënë se nuk ia fal Albin Kurtit kur doli në foltore e tha që LDK-në po e do Serbia.

“Këta kanë kërku 500 mijë vota, nuk kanë lyp partner. Nuk kërkon partner në studio, ndërton partneritet, respekt ndaj votuesit. Momentin që Kurti del në foltore e i drejtohet LDK-së juve po iu do Serbia, ka rrënu secilën urë bashkëpunimi. Pa qartësim të kësaj, nuk mundet me iu afru LDK-së. Kemi qenë shumë korrekt. LDK-ja në EPP ka mbajt prezencë solide, kemi ofruar resolute për liberalizim të vizave. Sa herë që ka pasur nevojë kemi ofru komunikim. Nuk i bëjmë publike, janë tema me interes publik. Në momente shumë të vështira, LDK i ka thënë atij jemi në tërësi të përbashkët, për interesa e qëllime. Kemi folur për aleatë e aleanca. Nuk e kemi prit që ai ndërton gjuhë kundër LDK-së”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.

Abdixhiku tutje ka thënë se nuk ofendon Kurtin e elektoratin e tij, sado që s’pajtohet me atë çfarë përfaqëson.

Madje sipas tij një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, është rrezik.

“Unë nuk e ofendoj as Kurtin as elektoratin e tij. Mund të mos pajtohem me atë çfarë përfaqëson. Një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, ai kërcënon më shumë se sa vetëm fjalë, është e rrezikshme. Turmat janë të rrëzikshme. Ata kanë rrënuar çdo urë të komunikimit me ne. Ne kemi qenë korrekt me ta, ata kanë ofenduar dhe propaganduar. Në anën tjetër besoj që mirë që e kanë kuptuar se gjuha duhet të ndërrohet”, tha Abdixhiku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *