Abdixhiku: Qytetarët nuk kanë rrymë, faturat me rritje, këta thonë “jeta është e mirë”
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka kritikuar qasjen e Vetëvendosjes, për të mos shkuar në debate.
Abdixhiku ka thënë se ka pasur mungesë ballafaqimi.
“Fushatës i ka munguar ballafaqimi. Do të doja që njerëzit tanë të ekonomisë të përballen me të VV-së, por kur nuk ke me kënd ballafaqohesh, ske. Ai që shan, dhe e ka mendjen te ofendimi, ai nuk e do debatin, është humbës. Debati e çmonton propagandën”, tha Abdixhiku.
Ai po ashtu ka kritikuar gjuhën e Vetëvendosjes, për jetën e qytetarëve.
Ai ka thënë se qytetarët kanë halle me rrymë e fatura, përderisa VV-ja thotë që jeta është e mirë.
“Qytetarët nuk kanë rrymë, iu kanë ardhë faturat me rritje, tregoju që jeta është më mirë. Një pushtet po mendon që qytetarët e kanë jetën mirë, nuk e kanë as mendjen me ua ndreq jetën, çmimet nuk janë rrit, rrogat janë rrit, ekonomia po lulëzon. Nuk kanë bo gjë. Këta e marojnë një sistem paralel e nuk e kanë mendjen me i ndihmu qytetarëve”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Abdixhiku ka folur edhe për pjesëmarrjen e mërgatës në tubimet e LDK-së.
Sipas tij, kjo prezencë e tyre ishte madhështore. Prandaj, Abdixhiku tha se LDK ka një mërgatë të fuqishme e kjo do të shihet pozitivisht nesër në votën totale të LDK-së
“LDK ka një mërgatë të fuqishme. E ka pasur gjithherë, është punuar shumë këto 4-5 vitet e fundit dhe besoj që nesër kemi me i pa pozitivisht në votën totale të LDK-së efektin e kësaj prezence”, tha Abdixhiku.
