Një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Gjilan–Prishtinë, afër liqenit të Badovcit, raporton Gazeta Sinjali.
Si pasojë e tij, një person ka humbur jetën.
Burime të besueshme nga terreni kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali se viktima është Shyqeri Mahmuti, rreth 63 vjeç, i cili ka qenë njëri nga drejtuesit e automjeteve të përfshira në aksident.
Përveç viktimës, janë raportuar edhe dy persona të tjerë të lënduar rëndë – shoferët e automjeteve të tjera – të cilët janë dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor.
Lajmin e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës.
“Sot rreth orës 12:00 në rrugën Prishtinë-Gjilan, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të tri automjeteve (dy vetura dhe një kamion)”.
“Si pasojë e aksidentit në vendin e ngjarjes ka humbur jetën një person dhe janë lënduar dy të tjerë të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, tha Ahmeti.
Njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, përfshirë ato të trafikut dhe hetimeve, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë në zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Aksident komunikacioni me pasoja fatale” dhe mbetet nën hetim.
Në rrugën e njëjtë, aksidentet janë të shpeshta dhe shpesh fatkeqësisht janë fatale.