Mentor Majaci, një aktivist i njohur i Lëvizjes Vetëvendosje, ka njoftuar dorëheqjen nga çdo funksion dhe përkrahje ndaj partisë. Në një postim publik, ai ka shpërndarë fotografi me liderët e VV-së, përfshirë Albin Kurtin, dhe ka kërkuar falje publike ndaj miqve e qytetarëve që i kishte ftuar t’i bashkoheshin kësaj lëvizjeje.
Ai tha se e kishte mbështetur Vetëvendosjen me bindjen se do sillte ndryshim të vërtetë, por sipas tij, përjetoi “keqqeverisje, arrogancë dhe punësime partiake”.
“VV sot është kthyer në një mekanizëm pushteti, ku përkrahen mediokriteti dhe besnikëria ndaj individëve, jo parimeve”, shkroi Majaci.
Ai përfundon duke thënë se do të mbetet aktiv si qytetar i lirë dhe i zëshëm përballë padrejtësive.
Postimi i tij:
Hyra në këtë lëvizje me bindjen e plotë se po i bashkohesha një alternative të sinqertë politike — që do të sillte ndryshim të vërtetë, drejtësi, barazi dhe shpresë për qytetarët e këtij vendi. Fatkeqësisht, gjatë përfshirjes sime, kam parë nga afër një realitet shumë të dhimbshëm: keqqeverisje, arrogancë, mosdëgjim të qytetarit, kapje të institucioneve dhe punësime të njëanshme partiake( Sidomos në Komunen tonë të Podujevës).E vërteta është se në vend të ndryshimit, po ripërsëritet e njëjta mendësi e vjetër që ky subjekt pretendonte se do ta luftonte.
Vetëvendosje, që dikur ishte simbol i idealizmit dhe sakrificës qytetare, sot është kthyer në një mekanizëm për pushtet të pandalshëm, përjashtues dhe interesash të mbyllura. Të rinjtë, profesionistët dhe aktivistët e ndershëm po injorohen e përjashtohen, ndërsa po përkrahen mediokriteti dhe besnikëria ndaj individëve, jo ndaj parimeve.
Kërkoj falje publike nga çdo qytetar, mik apo bashkëpunëtor që e kam ftuar t’i bashkohet kësaj lëvizjeje, duke u bazuar në bindjen time të sinqertë të dikurshme. Ishte një gabim që tani e kuptoj qartë, dhe për të cilin marr përgjegjësi morale dhe njerëzore.
Nga sot, nuk kam më asnjë lidhje me këtë subjekt. Do të vazhdoj të jem i zëshëm, aktiv dhe i përkushtuar si qytetar i lirë që nuk rri duarkryq përballë padrejtësive.
Me respekt,
Mentor Majaci
06.09.2025