Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komision Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka hedhur dyshime mbi vërtetësinë e votimeve në Komunën e Hanit të Elezit.
Në mbledhjen e parë të KQZ-së pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, Kurteshi ka kërkuar nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Policia lidhur për votimin me asistencë.
Kurteshi ka paraqitur disa parregullsi në Komunën e Hanit të Elezit, për të cilat ka thënë se parregullsi të tilla ka edhe në komunat tjera.
“Në Komunën e Hanit të Elezit pjesëmarrja është 5015 votues, nga ta 527 janë me asistencë, pra 10,51% të votuesve. Nga këta votues me asistencë – të verbër ose me shikim të dobësuar janë 243 votues kurse analfabetë 244. Sipas të dhënave të departamentit të pensioneve në Han të Elezit e kemi vetëm një të verbër që merr pension në shumën prej 300 eurove”, ka deklaruar Kurteshi.
Sipas tij këto shifra mund “të vërtetojnë” se votat me asistencë janë të shitura – të blera, ose të manipuluara.
Ai ka propozuar para KQZ-së që në Kosovë të ndalohet votimi me asistencë, ndërkaq në vendvotimet ku ka pasur numër të madh të votave me asistencë të bëhet rinumërimi.
Në Han të Elezit fitues është shpallur kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi. Ai është shpallur fitues qysh në raundin e parë me vetëm 130 vota dallim.
