35.5 C
Pristina
E diel, 6 Korrik, 2025

Analisti Shenoll Muharremi parashikon tronditje politike në zgjedhjet e mundshme të pranverës 2026

Analisti dhe eksperti i sondazheve, Shenoll Muharremi, ka parashikuar një skenar të mundshëm të “tërmetit politik” në rast se në pranverën e vitit 2026 mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë.

Sipas tij, nëse vazhdon dhe konfirmohet trendi aktual i rënies prej 0.87 pikë përqindje në muaj, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) mund të shkojë drejt një rezultati prej rreth 29.5% deri në mars të vitit 2026. Në këtë rrethanë, në rast të mbajtjes së zgjedhjeve, kjo parti mund të dalë humbëse, për shkak të humbjes së vazhdueshme të përkrahjes krahasuar me kulmin që kishte në vitin 2021 me 50.2%.

Muharremi thekson se tri matjet e fundit Omnibus (shtator, dhjetor dhe mars) do të jenë kyçe për të konfirmuar ose jo këtë trend të rënies. Ai shton se këto janë supozime të bazuara në potencialin aktual politik dhe analizat e fundit, dhe për këtë arsye duhet të interpretohen me kujdes.

Sipas tij, nëse LVV dhe kryeministri Albin Kurti nuk ndryshojnë drejtimin aktual dhe vazhdojnë me bllokada dhe paralizë institucionale – për të cilën 80% e qytetarëve e fajësojnë Vetëvendosjen sipas matjeve Omnibus – atëherë gjasat janë të larta që kjo parti të pësojë një “korrigjim” elektoral dhe të stabilizohet në nivelet prej 20%-25%.

Muharremi vlerëson se nga kjo rënie mund të përfitojnë dy partitë e tjera të mëdha, veçanërisht LDK. Ai përkujton se kur LVV ra në nivelin 32% në shtator të vitit 2022, LDK arriti ta tejkalojë PDK-në dhe të pozicionohej si partia e dytë.

Një faktor tjetër potencialisht transformues sipas tij është rikandidimi i presidentes Vjosa Osmani me një ekip ose subjekt të ri politik. Ai vlerëson se kjo hyrje e re në garë mund të ndikojë drejtpërdrejt në elektoratin e LDK-së dhe të LVV-së, duke sjellë një rrotullim të skenës politike.

Në këtë kontekst, Muharremi thekson se PDK mund të jetë në pozitën më të favorshme, për sa kohë që pjesëmarrja e Vjosa Osmanit në zgjedhje do të ndikojë negativisht te LDK, duke ia ulur mbështetjen ndoshta deri në pesë pikë përqindje.

Ai sugjeron se nëse LDK arrin të integrojë Vjosa Osmanin brenda partisë dhe të fuqizojë Hykmete Bajramin, ka potencial të bëhet partia e parë. Megjithatë, ai shpreh dyshime për realizimin e këtij skenari, duke përmendur rezistencën e brendshme ndaj rikthimit të Osmanit si dhe pozicionimin jo të favorshëm të Hykmete Bajramit në listat e mëparshme.

Nga ana tjetër, Muharremi vë në dukje se për PDK-në të përfitojë nga ky zhvillim, duhet të plotësohen disa parakushte:

Të përshpejtojë reformat e brendshme, sidomos në aspektin programor dhe fuqizimin e grave dhe të rinjve;
Të ofrojë zgjidhje reale për sfidat kryesore të vendit si energjia, inflacioni, migrimi, diplomacia dhe investimet – fusha në të cilat aktualisht nuk po ofron alternativa të qarta;
Të nominojë Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, i cili sipas matjeve të fundit gëzon dyfishin e përkrahjes krahasuar me partinë e tij dhe perceptohet si figura më e matur për të udhëhequr qeverinë në kushte të vështira ekonomike.
Analisti përmbyll se e ardhmja politike mbetet e pasigurt dhe varet nga shumë faktorë, por nëse asgjë nuk ndryshon në mënyrë dramatike dhe këto kushte përmbushen, skenari i ndryshimeve të mëdha politike në vitin 2026 mbetet shumë i mundshëm

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here