Arrèstohet një ish-pjesëtar i MUP-it serb, zbulohet arsyeja

Ministri në detyrë Xhelal Sveçla thotë se i dyshuari ka bashkëpunuar me strukturat e sigurisë së Serbisë dhe ka qenë i lidhur me veprime terroriste.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot është arrestuar një person në kuadër të hetimeve për kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, i cili ndodhi më 1 nëntor 2025 brenda territorit të Kosovës.

Sipas Sveçlës, arrestimi është realizuar në Leshak në një operacion të përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. I arrestuari është V.M., ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i cili ishte integruar në Policinë e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje.

Autoritetet kosovare dyshojnë se V.M. ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e kidnapimit të Milan Vukashinoviq. Gjatë kidnapimit, viktima ishte plagosur rëndë dhe aktualisht po trajtohet në një spital në Serbi.

Tutje, Sveçla ka bërë të ditur se i dyshuari ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e inteligjencës dhe ushtrisë së Serbisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime ushtarake dhe dyshohet se së paku ka pasur dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.

“Në Kosovë askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. Institucionet tona kanë kapacitetet për të adresuar çdo kërcënim dhe për të zbardhur çdo krim,” ka deklaruar Sveçla, duke shtuar se herët a vonë para drejtësisë do të dalin edhe personat përgjegjës që strehohen në Serbi dhe shfrytëzohen për qëllime politike dhe të sigurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *