Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetin social X, ka shprehur ngushëllime për dhjetëra jetët e humbura pas një shpërthimi të fuqishëm në barin “Le Constellation” në një qendër skijimi në Zvicër.
Gjersa ajo uroi shërim të shpejtë qindar personave të tjerë që kanë mbetur të plagosur.
“Në emër të Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave dhe shpreh solidaritetin tonë me popullin dhe institucionet e Zvicrës”, ka shkruar e para e vendit në X.
Të premten (2 janar 2026, ora 10:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht i fletëvotimeve nga votimi përmes postës që deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.
Këto informacione i dha Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.
“Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, tha Elezi për Express.
“Deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së”, shtoi Elezi.
Ai tha se “nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”.
“Ndërkaq, nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%”, përfundoi ai.
Hoxha Shefqet Krasniqi ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të akademikut dhe intelektualit Nexhat Daci, duke e cilësuar atë si një humbje të madhe për familjen dhe shoqërinë kosovare.
Krasniqi ka theksuar se kishte një miqësi të veçantë me të ndjerin, duke kujtuar takimet dhe bisedat e tyre rreth Islamit, si dhe respektin që Daci kishte për fenë islame dhe për ata që i shërbejnë asaj.
Ai ka veçuar faktin se Nexhat Daci ishte ndër intelektualët e rrallë që doli publikisht në mbrojtje të hoxhallarëve, përfshirë edhe atë vetë, gjatë arrestimeve të vitit 2014, duke shprehur bindjen në pafajësinë e tyre.
Në fund, Shefqet Krasniqi ka vlerësuar kontributin e Nexhat Dacit në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe i ka shprehur ngushëllime familjes Daci, duke u lutur për mëshirë dhe durim në këto momente të vështira.
Një incident i dhunës në familje është regjistruar në orët e para të Vitit të Ri në Gjakovë, ku dy vëllezër, nën ndikimin e alkoolit, janë përfshirë në një konflikt fizik.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, në rrugën “Nikollë Kaqorri”, ku sipas informacioneve, D. Panxhaj dhe D. Panxhaj, të dyshuarit në raport familjar vëllezër, kanë pasur një mosmarrëveshje për çështje familjare gjatë festimit të Vitit të Ri.
Situata ka eskaluar në përleshje fizike, ku i dyshuari D.P. dyshohet se e ka sulmuar vëllain e tij, duke i shkaktuar lëndime në pjesën e syrit të majtë dhe në faqe. I dëmtuari ka pranuar tretman mjekësor për lëndime të lehta trupore.
Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që i dyshuari D.P. të ndalohet për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt
Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe mbetet nën hetime.
Behgjet Pacolli ka reaguar për vdekjen e ish kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, duke kujtuar takimin e parë me të:
“…Kur u njoha me të për herë të parë.
Takimi me të nuk ishte i zakonshëm. Fjalët e tij, porosia dhe qetësia me të cilën i shprehu, u ngulitën përgjithmonë në kujtesën time dhe u shndërruan në një obligim moral për mua.
“Zotni Pacolli, do të doja shumë që kjo ndërtesë të marrë një frymë të re — hapësira moderne, dinjitoze, që të përfaqësojnë të ardhmen e Kosovës. Nuk do të kisha dashur që kjo godinë të na rikujtojë vuajtjet dhe plagët e së kaluarës sonë. Nëse mundeni, ju lutem, ndihmoni.”
Kjo kërkesë, e thënë me dinjitet dhe vizion shtetëror, më preku thellë. Ishte arsyeja pse kontribuova me mbi 1.800.000 euro për rekonstruktimin e plotë të ndërtesës së Parlamentit: instalimet, fasadën, dekorimet e brendshme të hollit dhe sallave, të sallẽs kryesore, mobilimin e tyre, si dhe rregullimin e hyrje, hollit, zyrave të drejtuesve si the zyren e kryetarit ku sot punojne kryetaret e Parlamentit dhe me krenari takohen me delegacione te ndryshme!”
Ai ka thënë se që nga ajo ditë asgjë nuk është prekur në ndërtesën e kuvendit.
“Që nga ajo ditë, asgjë nuk është prekur. Sepse ajo punë u bë me respekt, me përkushtim dhe me dashuri për Kosovën. Për të kam pasur gjithmonë një respekt të veçantë. Sot e kujtoj me mirënjohje dhe nderim të thellë. U prehtë në paqe. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe miqve të tij.”
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama është befasuar nga rezultati i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, e cila mori 52 mijë vota më pak nëse krahasohen me dy palë zgjedhje parlamentare të mbajtura këtë vit.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 13.57 përqind apo 119 mijë e 201 vota, një rënie e madhe në krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit ku ka pasur 18.27 përqind, apo pesë ulëse më pak në Kuvendin e Kosovës.
Në intervistën për KosovaPress, Rama thotë se LDK dhe partitë opozitare duhet të reflektojnë dhe të rishikojnë arsyen pse ka ndodhur kjo rënie e tyre, të kenë një program i cili u mundëson ringritjen sepse sipas tij duhet të ketë një opozitë të fortë.
Rama ka shtuar se LDK-ja ka njerëz të cilën mund ta kryejnë këtë detyrë nëse Abdixhiku vendos të largohet nga pozita.
“Nuk është e vërtetë, unë jam kryetar i kryeqytetit e kam një mandat katër vjeçar, ky është fokusi im, të transformoj kryeqytetin, kjo është vota e qytetarëve dhe unë do të jem këtu për kryeqytetin për të mirën e gjithë vendit. LDK-ja ka njerëz përbrenda partisë të cilët munden me kry këtë detyrë nëse po them, kryetari i tanishëm vendos që të lëshojë udhë dikujt tjetër… Nuk jam i interesuar, nuk kam interes… Dashnia ime është që t’iu ndihmoj të gjithë qytetarëve të kryeqytetit përtej ngjyrosjeve partiake dhe normal që do t’i ndihmoj kushdo që ka nevojë për ndihmë”, thotë ai.
“Kam raporte të mira me të gjithë sepse po them edhe Lidhja Demokratike më ka ndihmuar gjatë procesit të zgjedhjeve lokale. Unë po ashtu i kam ndihmuar edhe në shkurt edhe tash Lidhjes Demokratike, pra është një bashkëpunim i mirëfilltë, i shëndoshë ku edhe Lidhja Demokratike mendon përtej partisë, ka ftuar njerëz si unë që nuk jam anëtar i Lidhjes Demokratike dhe kemi punuar mirë për me çuar proceset e kryeqytetit përpara. Të njëjtën kohë po them edhe unë, përkundër faktit që nuk jam anëtar, i kam ndihmuar ose jam munduar me i ndihmu partisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës që të ecë përpara sepse kanë me të vërtetë një program të mirëfilltë në të gjitha sferat. Edhe po ashtu e kemi pasur një kontratë prej 1.5 miliardësh për kryeqytetin në rast se e kishim pasur në qeverisje Lidhjen Demokratike”, ka thënë Rama.
I pari i Prishtinës uron për qeverisjen e re që të jetë më bashkëpunuese e jo siç thotë ai, bllokuese e sabotuese.
“Ishte me të vërtetë befasuese, por përkundër faktit po them, çdo gjë ka shkuar në rregull edhe kjo tregon që kemi një ngritje ashtu shoqërore të vlerave demokratike në të gjithë Kosovën, që është një çështje super pozitive dhe uroj çfarëdo qeverisje që të ketë, që të jetë pro bashkëpunimit, jobllokuese, sabotuese. Nuk na duhet kjo mendësia bllokuese, sabotuese, duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për të ngritur vlerat tona të përbashkëta për vendin tonë. Prandaj edhe partitë opozitare duhet të reflektojnë edhe me e ditë pse ka ndodhur ajo, e të kenë një program i cili ju mundëson ringritjen dhe ju mundëson një opozitë të mirëfilltë sepse duhet të ketë një opozitë të fortë. Pozita me një opozitë të fortë e çon vendin përpara më mirë e më shpejt”, ka thënë Rama.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin me 49.34 përqind apo 433 mijë e 394 vota. /KP/
Një rast jashtëzakonisht i rëndë dhunimi është raportuar më 31 dhjetor 2025 në Fushë Kosovë, ku një grua rreth 30 vjeçe ka përjetuar dhunë seksuale dhe keqtrajtim çnjerëzor nga dy persona të dyshuar.
Sipas informatave, viktima A.H. 30 vjeçare ishte njohur me njërin nga të dyshuarit përmes rrjetit social Snapchat, të cilin e njeh vetëm sipas inicialeve L.G. Takimi i parë mes tyre kishte ndodhur fizikisht në pompën e derivateve HIB Petrol, në rrugën e Pejës, në Fushë Kosovë.
Siç raporton Sinjali, pas këtij takimi, viktima kishte pranuar të shkojë me të dyshuarin në motelin “Paris” në Fushë Kosovë. Sipas deklarimit të saj, menjëherë pasi kishin hyrë në dhomë, i dyshuari kishte ftuar edhe një person tjetër të panjohur. Të dy dyshuarit, sipas viktimës, fillimisht i kishin ofruar alkool dhe më pas edhe substanca narkotike, duke e vënë në një gjendje të rëndë fizike dhe psikike.
Në këto rrethana, viktima deklaron se ishte dhunuar seksualisht nga të dy personat. Duke tentuar të shpëtojë, ajo kishte dalë nga dhoma dhe ishte drejtuar drejt garazhit të objektit, por aty ishte kapur sërish nga të dyshuarit, të cilët e kishin futur me forcë në pjesën e pasme të veturës, duke e detyruar të qëndrojë e shtrirë.
Sipas deklarimit, viktima ishte transportuar me veturë drejt një zone malore në afërsi të fshatit Llapushnik, komuna e Drenasit, ku të dyshuarit e kishin nxjerrë nga automjeti dhe e kishin braktisur në gjendje të rëndë shëndetësore, duke u larguar më pas në drejtim të panjohur.
Viktima është hasur më vonë nga njësia e autostradës në afërsi të rrugës së Pejës, pranë HIB Petrol, në gjendje të rënduar, ku ka marrë trajtim të menjëhershëm mjekësor. Pas stabilizimit, ajo ka dhënë deklaratën e saj para organeve kompetente.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e veprës penale “Dhunim”, ndërsa viktima është dërguar për ekzaminime të detajuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Hetimet janë në zhvillim intensiv për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Rasti po trajtohet me prioritet të lartë, ndërsa institucionet janë duke ndërmarrë veprime për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.
Sali Rexhaj, opinionist, ka qenë goxha i ashpër dhe aktiv ndaj Albin Kurtit, kryeministër në detyrë i Kosovës. Madje, Rexhaj shpesh ka hedhur edhe akuza ndaj kryetarit të VV-së në paraqitjet e shpeshta mediale.
Në fund të këtij viti, Rexhaj i hyri edhe politikës aktive, duke garuar për deputet në listën e AAK-së së Ramush Haradinajt. Në këtë kontekst, Rexhaj kishte shkruar me një optimizëm eksploziv rreth fatit të Kurtit.
“Kam ardhe ne Kosove, per ta derguar Albin Kurtin ne shtepi” – kishte shkruar Rexhaj më 22 dhjetor të 2025.
Megjithatë, në zgjedhje Rexhaj nuk doli mirë. Në fakt, Rexhaj është diku nga fundi, duke arritur t’i bindë vetëm 709 veta për ta “dërguar Albin Kurtin në shtëpi”.
Kur janë numëruar 78.57 për qind e votave, Rexhaj ka arritur që përmes narrativës së tij t’i sigurojë 709 vota. Megjithatë, deri në fund të numërimit, objektivisht Rexhaj mund të shtojë edhe ndonjë votë tjetër.
Në lidhje me rezultatin e dobët personal, Rexhaj ka pasur një interpretim.
“Rikthimi im ne politike nuk ka te bej me ndonje ambicie per te marre mandatin e deputetit, siq e kam bere te qarte kudo qe kam shkuar ne fushate. Kerkesa ime e vetme ka qene qe te votohet Ramush Haradinaj dhe AAK, pasi Ramushi ka kohe qe u sulmua me te gjitha mjetet e ndyta te Vv e Albin Kurtit, te cilet kishin per qellim qe ta eleminonin nga politika permes pragut zgjedhor. Per ta arritur kete qellim perdoren te gjitha mjetet, duke perfshire edhe luften hibride ruse e serbe.
Misioni im dhe i 109 kandidateve tjere doli 100% i sukseseshem” – shkroi Rexhaj më 29 dhjetor, një ditë pasi i bindi 709 njerëz për ta votuar.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar me gëzim lindjen e trinjakëve, fëmijët e parë për 2026.
Gjatë një vizite në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kurti shpalli lajmin e lumtur se një grua ka lindur trinjakë, të cilët janë të gjithë të gjinisë mashkullore, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Me këtë rast vizituam zonjën që ka lindur për herë të parë. Kishte një rrethanë shumë të veçantë, sepse ka lindur trinjakë, tri foshnje të gjinisë mashkullore,” tha Kurti.
Ndërsa, doktori Naser Rafuna tha se gruaja që solli në jetë tre fëmijët, është një 36 vjeçare nga Gjilani.
Ajo nuk kishte pasur fëmijë për tetë vjet, duke u përballur me infertilitet.
“Pacientja është Fjolla Ibrahimi-Starabaja nga Gjilani. Është bwrw nënë për herë të parë pas një infertiliteti 8 vjecar, nuk ka pasur fëmijë tetwëvite. Tash është lindja e parë, lindje trinjake.”, tha ai.