“Autostrada ka qenë e pastruar”, Dimal Basha reagon pas aksidentit me fatalitet

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, është deklaruar pas reagimeve lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi të dielen në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një grua dhe një burrë mbeti i lënduar rëndë.

Basha tha se ministria ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës, duke kundërshtuar pretendimet se bëhet fjalë vetëm për largim të dheut nga zona problematike.i

“Ministria sot ka njoftuar se ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Pra nuk bëhet fjalë për ‘heqje dheu’, siç po manipulon Kryetari Rama dhe siç është raportuar në disa portale, por për projekte të sanimit të plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës”, ka deklaruar Basha.

Ai ka reaguar edhe ndaj pretendimeve që lidhin aksidentin fatal me rrëshqitjen e dheut në atë pjesë të autostradës, duke thënë se autoritetet janë në pritje të raportit zyrtar të Policisë së Kosovës.

“Një ligësi tjetër është manipulimi me aksidentin që ndodhi gjatë vikendit. Siç është e njohur për publikun, autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Ne po presim raportin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore”, është shprehur ai.

Ushtruesi i detyrës së ministrit ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, ndërsa ka akuzuar kundërshtarët politikë se po përpiqen të përfitojnë nga ngjarja tragjike.

“Familjes të së ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Na vjen keq që, përveç dhimbjes që ka shkaktuar ky aksident, Kryetari Rama dhe disa të tjerë po përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga kjo tragjedi. Por nga mashtruesit dhe manipuluesit nuk pritet më shumë. Qytetarët i njohin mirë dhe këtë po e dëshmojnë me votë në çdo palë zgjedhje”, ka përfunduar Basha.

Janë ekzekutuar pagesat prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se tashmë janë ekzekutuar pagesat për përfituesit e masës së mbështetjes prej 100 eurosh, të dedikuar për punëtorët e sektorit privat në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

Sipas Muratit, mjetet janë transferuar për të gjithë ata qytetarë që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara për përfitim nga kjo skemë mbështetëse, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët nga institucionet përgjegjëse.

Ndërkohë, ai bëri të ditur se procesi për mbështetjen financiare të studentëve është ende në fazën e vlerësimit. Komisioni përgjegjës po shqyrton aplikimet e pranuara dhe, sipas ministrit, publiku do të njoftohet sapo të përfundojë përgatitja e listave për ekzekutimin e pagesave.

Votat me postë po ndryshojnë rezultatin, Vetëvendosje thellon diferencën

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i votave me postë.

Deri në orën 14:30 janë numëruar 40,81% të votave.

Nga votat e numëruara deri më tani, LVV ka marrë 70.28% apo 23,972 vota. LDK 14.28%  apo vota 5,055.

PDK është e treta me 7.70% apo 2,625, kurse Aleanca ka 5.22% apo 1,779 vota.

Procesi i numërimit të votave me postë sipas KQZ-së pritet të përfundojë në mesjavë.

Nga votat e numëruara, LVV ka siguruar 51 ulës, PDK 23, LDK 19, Aleanca 7.

 

Ish-ministri dënohet me 2 vjet burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, duke e dënuar me 2 vjet burgim pasi iu ricilësua vepra penale nga “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” në “Konflikt interesi”.

Aktgjykimi ndaj Shalës u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Medie Bytyqi e Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas gjykatëses Namani-Hajra, nuk janë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, andaj Shala u shpall fajtor dhe u dënua për “Konflikt interesi” nga neni 417, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. Dënimi me burgim, do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

I akuzuari obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës- 100 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

 

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

Shala nuk ishte i pranishëm në shpallje.

Ndryshe, në këtë rast akuzohet edhe ish-ministri Vesel Krasniqi po që seanca e 1 dhjetorit 2025 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarit Shala. Në atë rast, avokati Artan Qerkini që mbron të akuzuarin Krasniqi, kishte kërkuar që çështja penale të veçohet në mënyrë që të procedohet më shpejtë. Andaj, Gjykata jashtë seancës ka marrë vendim për veçimin e procedurës penale.

Dy të akuzuarit në seancën fillestare të mbajtur më 27 nëntor 2024 janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Themelorja dhe Apeli kanë konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj dy ish-ministrave Krasniqi dhe Shala, e cila dy të akuzuarit i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 shtator 2024 kishte paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale për plotësimin/përmirësimin e aktakuzës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 gusht 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, të cilët i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Vesel Krasniqi në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë akuzohet se me dashje dhe dijeni, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe pa autorizim ka iniciuar dhe zbatuar procedurat ligjore për përgatitjen e Udhëzimit Administrativ për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, të cilin e ka miratuar më 11 nëntor 2020.

Ky UA sipas aktakuzës përmban disa nene të cilat janë në dëm të interesit publik dhe në dobi të interesit privat, përkatësisht me nenet 51 dhe 54 të këtij udhëzimi, Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana pa kosto shtesë.

Aktakuza thotë se kjo çështje me këtë vendim ka kaluar te operatorët ekonomikë privatë dhe si rrjedhojë e kësaj në një proces jotransparent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me vendimin e 30 dhjetorit 2020 kishte emëruar kompaninë zvicerane OE “Sicpa SA” si trupë që do të kryente shënjimin dhe monitorimin e derivative të lëngëta të naftës.

Ndërsa, thuhet se më 14 janar 2021, kishte nëshkruar kontratën me këtë OE, nga e cila ishte dëmtuar interesi publik në shumën 11 milionë e 235 mijë e 706 euro e 31 centë, duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës me qëllim përfitimi për kompaninë private dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës, si dhe duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore.

Me këto veprime, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Kurse, Endrit Shala akuzohej se në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, me dashje dhe dijeni, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare në mënyrë që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër.

Në aktakuzë thuhet se duke i anashkaluar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka nënshkruar përkatësisht miratuar vendimin me të cilin operatori ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S.Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, të cilin sipas aktakuzës, Shala e ka baxhanak.

Me këtë veprim, thuhet se i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të Teneqes, realizimin e dobisë pasurore në lartësi 732 mijë e 642 euro e 28 centë.

Andaj, për këto veprime, Shala ngarkohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Përmes kësaj aktakuze, prokurori special Milot Krasniqi ka kërkuar që ndaj të akuzuarve krahas dënimit kryesor të shqiptohet edhe dënimi plotësues- Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbim publik.

Ndryshe, Shala ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë në periudhën 2018-2020, kurse Krasniqi në periudhën qershor 2020- mars 2021.

Rrahje në stadiumin e Pejës, përfshihen një polic dhe një ish-polic – nis hetimi

Një incident fizik dyshohet se ka ndodhur në një stadium në Pejë, ku janë përfshirë një zyrtar policor dhe një ish-polic.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Enigma zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se lidhur me ngjarjen janë njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Policia e Kosovës.

Sipas tij, është iniciuar rast dhe po ndërmerren veprime hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar motivet dhe përgjegjësitë e të përfshirëve në rast.

Deklarata për ‘çerek milion euro’, Alisa Jetullahu del me reagim publik

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputete, Alisa Jetullahu, ka reaguar pas deklaratës së gazetarit dhe kryeredaktorit të ATV-së, Leart Hoxha, i cili tha në emision televiziv se e din një rast kur një kandidate për deputete ka shpenzuar rreth 250 mijë euro për t’u bërë deputete.

Përmes një postimi në “Facebook”, Jetullahu kërkoi nga Hoxha të sqarojë deklaratën e tij dhe të bëjë publike faktet nëse aludimet lidhen me të.

Postimi i saj i plotë:

“Në një emision, gazetari Leart Hoxha, kryeredaktor në ATV, deklaroi se ai e di një rast kur një kandidate për deputete ka shpenzuar rreth “çerek milion euro” për t’u bërë deputete.

Si gazetar, e veçanërisht si kryeredaktor në një medium jo të vogël, ai, derisa supozohet se i mëson gazetarët e deskut të tij se duhet për secilin informacion të kenë faktim të deklarimeve e për më tepër nga dy-tre burime dhe se duhet të jenë konkret, preciz, të saktë e të qartë, vetë Hoxha në deklaratë nuk u tregua as konkret, as i saktë, as preciz e as i qartë.

Por, derisa emër nuk përmendi, kjo deklaratë për mua nuk nënkuptonte asgjë, përveç njohje të faktit se gazetaria më të vërtetë sot ka probleme, kur një kryeredaktor flet pa të dhëna konkrete në emision. Megjithatë, më vonë, pash një organizim të strukturuar duke aluduar se Hoxha e kishte për mua kur po fliste.

Prandaj, shtyhem të reagoj. Së pari, unë absolutisht e kam ditur sa terren i vështirë është politika. Veçanërisht për vajza e gra të reja. Jo rastësisht, ne ende na duhet kuotë për të garuar, sepse ekziston një strukturë e tërë e ndërtuar mirë, me tone patriarkale, që e ka angazhim të vazhdueshëm luftën sepcifikisht e veçanërisht kundër grave në politikë. Jo rastësisht, deri me 80 për qind e grave janë të papuna në Kosovë.

Jo rastësisht, gratë paguhen më pak për punë të njëjtë si burrat në Kosovë. Jo rastësisht, derisa diplomojnë çdo vit shumë më shumë gra se burra, vazhdojnë të punësohen shumë më shumë burra se gra. E kjo çfarë po them unë nuk është viktimizim. Ky është fakt. E di çdo grua.

E di edhe unë. Pikërisht se e di kam dashur të futem në politikë që të lëvizë një gur, sado të vogël, në përmirësimin e këtyre statistikave që për gratë nuk janë veç të dhëna, por jetë e vështirë e përditshme.

Tani, kërkoj nga Leart Hoxha, ta konkretizojë deklarimin e tij. Ta thotë me emër se a bëhet fjalë për mua në atë çfarë ai e tha si thashethem në studio. Kërkoj nga ai të publikojë fakte, të dhëna.

Të përmend emra. Dhe këto t’i bëjë në publik vullnetshëm, sepse në Gjykatë do të jetë i detyruar, pasi unë, në momentin që ai e konkretizon se e kishte për mua, do të procedojë me padi për shpifje. Si përfundim, në këtë situatë unë nxjerr diçka pozitive.

Kur e vërteta të flitet, të faktohet e të jetë prezente publikisht, do të kuptohet se nuk kishte asgjë nga aludimet në raport me mua, por në anën tjetër unë do jem person më i njohur publikisht e njohja më e gjerë në politikë gjithmonë është e mirëseardhur.

Falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar në zgjedhjet e fundit. Vërtetë nuk janë pak e jam fort mirënjohëse.

Nuk e marrë për të garantuar asnjë votë. Dhe i siguroi, se situata e fundit ishte veç forcim shtesë i bindjes time që e kisha edhe më herët, se lufta ime për gra të forta e të barabarta duhet të vazhdojë e terreni pa diskutim është politika. Me respekt,E juaja Alisa.”, ka shkruar ajo.

Vdes biznesmeni i njohur kosovar

Ka ndërruar jetë biznesmeni i njohur nga Mitrovica, Hilmi Brahimi.

Ai ishte emër i njohur në biznesin kosovar, duke qenë njëri nga pronarët e HEBS Kosova.

Familjarët kanë bërë të ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, në ora 20:22, në varrezat e Shipolit në Mitrovicë.

Arrestohet nëna e 16-vjeçarit në Prizren, dyshohet për shtytje në vrasje

Një konflikt familjar në fshatin Kobaj të Prizrenit ka përfunduar me një viktimë dhe disa të arrestuar, mes tyre edhe nëna e të dyshuarit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, për Sinjalin ka konfirmuar se e dyshuara është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Shtytje në vrasje”.

Rasti tragjik ka ndodhur pasi Albion Osmanaj, 27 vjeç, ka humbur jetën pasi është goditur me thikë nga kushëriri i tij, ndërsa babai i viktimës ka mbetur i lënduar.

Sinjali raporton se në total janë ndaluar tre persona lidhur me këtë rast, përfshirë edhe nënën e të miturit, e cila dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje”.

Me vendim të Prokurorit kujdestar, e dyshuara është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po vazhdojnë.