Ish-ushtari i UÇK-së kritikon Kurtin për letrën ndaj Sahit Jasharit: Kush dreqi na e shiti Albin Kurtin për intelektual

Juristi Ali Sefaj ka publikuar letrën që kryeministri në detyrë Albin Kurti la në librin e përkujtimeve për komandantin Sahit Jasharin, shkruan GazetaDemos.

Ai kritikoi Kurtin për shkrimin duke thënë se “kryeministri arrin të shkruajë disa rreshta të zbehtë, me formulime të paqarta, pa peshë historike, pa thellësi mendimi dhe pa ndjeshmërinë që kërkon një rast i tillë”.

“Kush dreqi na e shiti Albin Kurtin për intelektual? Sepse në këto pak rreshta mungon gjithçka që pret nga një intelektual: mendimi, artikulimi, kultura historike dhe ndjenja njerëzore”, shkruan Sefaj në Facebook.

Postimi i plotë:

Shënimi i kryeministrit Kurti në librin e zisë për komandant Sahit Jasharin është dëshmia ma e mirë qe e çmonton narrativën që prej vitesh përpiqen të na paraqesin Albinin si intelektual.

Po flasim për Sahit Jasharin, një nga themeluesit e UÇK-së, bashkëluftëtar i Adem Jashari, veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare dhe një nga figurat që barti mbi supe jo vetëm luftën, por edhe kujtesën historike të saj. Një figurë që përfaqëson një kapitull të tërë të rezistencës shqiptare për çlirim.

E megjithatë, përballë një personaliteti të tillë, kryeministri arrin të shkruajë disa rreshta të zbehtë, me formulime të paqarta, pa peshë historike, pa thellësi mendimi dhe pa ndjeshmërinë që kërkon një rast i tillë. Teksti nuk arrin as të shpjegojë kush ishte Sahit Jashari, as pse jeta e tij ka rëndësi për historinë e Kosovës.

Intelektuali njihet kur përballet me historinë, jo kur mban fjalime politike. E kur përballë ke një nga themeluesit e UÇK-së dhe bashkëluftëtarët më të afërt të Adem Jasharit, ndërsa prodhon një tekst që ngjan me një formular administrativ, atëherë pyetja lind vetvetiu:

Kush dreqi na e shiti Albin Kurtin për intelektual? Sepse në këto pak rreshta mungon gjithçka që pret nga një intelektual: mendimi, artikulimi, kultura historike dhe ndjenja njerëzore.

Por nuk mund as nuk di të shkruash, për atë qe kurrë se ke ndjerë!

Sot varroset futbollisti 24-vjeçar nga Gjakova

Sot në varrezat e fshatit Skijanë do të varroset futbollisti 24-vjeçar i KF Dukagjinit të Gjakovës, Bajram Rragamaj, i cili ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë.

Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit do të nisë në orën 17:00.

I riu ishte pjesë e KF Dukagjinit dhe njihej si sportist premtues, ndërsa prej kohësh kishte qenë duke u përballur me një sëmundje të rëndë.

Familjarët dhe të afërmit kanë njoftuar se ai ishte duke luftuar me një tumor agresiv, të cilit nuk ka arritur t’i mbijetojë.

Ngushëllime për ndarjen e tij nga jeta janë shprehur nga familjarë, miq dhe figura publike, të cilët e kanë përshkruar atë si një të ri me ëndrra dhe potencial të madh.

Ceremonia e varrimit pritet të mbahet në prani të familjarëve, bashkëlojtarëve dhe qytetarëve që duan t’i japin lamtumirën e fundit.

100 eurot dalin sot, Ministria jep edhe një mundësi për aplikuesit me gabime

Punëtorët e sektorit privat sot pritet t’i gëzojnë mjetet në shumën prej 100 eurosh.

Kjo është konfirmuar për Indeksonline nga zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani.

“E keni parë postimin e ministrit. Po, sot pritet të ekzekutohen mjetet”, ka thënë Mehani.

Por, a do të ketë mundësi të aplikojë sërish një person në rast se ka bërë ndonjë gabim gjatë aplikimit?

Për këtë, Mehani ka një përgjigje:

“Po, të gjithë ata që kanë bërë ndonjë gabim gjatë aplikimit do të kenë mundësi të aplikojnë përsëri. Janë komisionet ato që i trajtojnë këto raste”, thotë Mehani.

Më 22 maj 2026, Qeveria e Kosovës miratoi Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, e cila parasheh mbështetje financiare prej 100 eurosh për disa kategori të qytetarëve.

Pakoja parasheh mbështetje të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistët, 100 euro për fëmijët, 100 euro për punonjësit e sektorit jopublik, si dhe 100 euro për studentët aktivë.

E dhimbshme: Ky është mërgimtari që vdiq në aeroplanin Zvicër – Kosovë

Ajo që duhej të ishte një kthim i zakonshëm nga mërgimi, përfundoi në tragjedi për Besim Krasniqin (63-vjeç).

Sinjali mëson se Krasniqi ishte pasagjer në fluturimin e kompanisë GP Aviation nga Bazeli i Zvicrës drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Pak para ose menjëherë pas aterrimit, ai shfaqi probleme serioze shëndetësore.

Stafi mjekësor i aeroportit ndërhyri menjëherë dhe e transportoi me urgjencë në QKUK, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 63-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion

Familja e priste në Kosovë pas udhëtimit nga Zvicra. Por Besim Krasniqi nuk arriti ta përqafojë askënd. Udhëtimi drejt shtëpisë u bë udhëtimi i tij i fundit.

Ish-pjesëtari i ISIS-it dënohet për spiunazh në favor të Serbisë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar ish-pjesëtarin e ISIS-it, Hysri Selimi, me gjashtë vjet burgim për spiunazh në favor të Serbisë.

Në bazë të akakuzës së Prokurorisë Speciale ai i ka ndihmuar Agjenicë për Siguri e Inteligjencë të Serbisë BIA.

Sipas organit të akuzës, ai ka takuar drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s Igor Babiq, dhe një zyrtar tjetër në territorin e Republikës së Serbisë, si në Vranjë, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia caktonin paraprakisht e që kishin të bënin me informacionet lidhur me personat e radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vahabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e mesxhideve (vende të faljes jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame).

I akuzuari pretendohet se i ka dërguar informata BIA-s serbe edhe lidhur me pjesëtarët e UÇK-së dhe vrasjet gjatë luftës. Prokuroria Speciale pretendon se ai edhe iu bashkua ISIS-it me urdhër të BIA-s.

Në dhjetor të 2022-tës, Selimi është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, ku ka shërbyer si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ISIS-it. Aktgjykimi Gjykatës Themelore që është konfirmuar në Apel, konstatoi se ai pati edhe kontakt me figura të tjera të organizatës terroriste që kanë qenë nga Kosova, si Lavdrim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi.

Aktakuza thotë se i akuzuari, sipas kërkesave dhe udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s (të cilin paraprakisht e kishin pajisur me telefona të mençur dhe me mjete financiare, duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie) më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar në Siri, përmes aeroportit të Stambollit, me mision të caktuar nga BIA.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Selimi fillimisht iu bashkua organizatës terroriste ISIS, pastaj dërgoi informacione tek zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ISIS, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.

Ndërsa, aktakuza thotë se pas kthimit në Kosovë nga Siria dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi kishte vazhduar të takohej me zyrtarë të BIA-s, më konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s dhe një zyrtar tjetër në Serbi, si në Vranje, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht, e që kishin të bënin me informacionet lidhur me persona të radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e “Mesxhide-ve” (hapësira fetare ku kryhen ritet fetare), si dhe informata tjera të rëndësishme.

Në aktakuzë thuhet se si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.

Përmes këtyre veprime, sipas Prokurorisë, Selimi seriozisht ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke ndihmuar ppo ashtu BIA-n serbe të krijojë një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Prandaj, për këto veprime, Hysri Selimi ngarkohej për veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërron jetë futbollisti i KF Dukagjinit

Klubi i futbollit KF Dukagjini nga Gjakova, që garon në Ligën e Dytë të Kosovës, ka njoftuar me pikëllim ndarjen nga jeta të futbollistit të saj, Bajram Rragamaj.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi ka shprehur dhimbjen për humbjen e lojtarit, duke e vlerësuar atë për kontributin, përkushtimin dhe dashurinë që kishte treguar ndaj ekipit dhe futbollit, shkruan Indeksonline

 

“Bajrami do të kujtohet gjithmonë për kontributin, përkushtimin dhe dashurinë që kishte gjithmonë. Largimi i tij është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin sportiv që pati fatin ta njohë”, thuhet në reagimin e klubit.

Kryesia, stafi, futbollistët dhe e gjithë familja e KF Dukagjinit i kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Rragamaj, të afërmve dhe miqve të të ndjerit.

Bien çmimet e naftës pas marrëveshjes mes ShBA-së dhe Iranit

Çmimet e naftës ranë në Azi të hënën pasi Pakistani, i cili ka ndërmjetësuar përfundimin e luftës ShBA-Iran, njoftoi një marrëveshje që Presidenti Donald Trump tha se do të shihte rihapjen e rrugës kryesore të transportit detar të Ngushticës së Hormuzit.

Nafta e papërpunuar Brent, standardi global i naftës, ra 4.8% më poshtë në 83.18 dollarë (61.89 paund) për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në ShBA ra 5.6% në 80.13 dollarë, shkruan BBC.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha se një ceremoni zyrtare e nënshkrimit do të mbahet të premten, më 19 qershor, në Zvicër.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, konfirmoi në një telefonatë në televizionin shtetëror se një marrëveshje me ShBA-në ishte finalizuar, ndërsa Trump postoi në mediat sociale “le të rrjedhë nafta!”.

Vdes djali i heroit të kombit Jashar Salihu, pas një aksidenti të rëndë në Zvicër

Pas një aksidenti të rëndë në Zvicër, ka vdekur i riu, Blerim Salihu, djali i Heroit të Kombit, Jashar Salihu, shkruan GazetaDemos

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tashmë të ndjerit përmes një postimi në Facebook.

Njoftimi i plotë:

LAJM MORTOR

Me pikëllim të madh morëm lajmin e hidhur se mbrëmë, në një aksident të komunikacionit në Zvicër, humbi jetën Blerim Salihu, djali i Heroit të Kombit, Jashar Salihu!

Ngushëllime nënës së Blerimit, Nerxhivanes, bashkëshortes Albanës, vëllezerve Taulantit dhe Dardanit, djalit të xhaxhait Isniut dhe krejt familjes atdhetare Salihu nga Botusha e Gjakovës.

 

Tragjedi tjetër/ Kjo është Elmedina që vdiq tragjikisht

Një viktimë dhe tre të lënduar, dy prej tyre në gjendje më të rëndë për jetën për shkak të një aksidenti automobilistik mesditën e sotme në aksin nacional Pogradec-Lin, në zonën e njohur si Pojskë.

Lidhur me këtë rast kanë dalur detaje të reja, ku raportohet se ka qenë mjeti me targa të Maqedonisë së Veriut tip “Golf” që ka bërë një parakalim në mënyrë të gabuar duke i prerë rrugën mjetit tip “Benz” ku udhëtonte një familje nga Korça.

Mjetet janë përplasur kokë më kokë, përplasje që i mori jetën një gruaje dhe tre të tjerë i la të lënduar.

Sipas burimeve të A2Cnn, viktima është 26 vjeçarja, me emrin Elmedina Lloga.

Viktima është gruaja që ndodhej në mjetin me targa të Maqedonisë së Veriut, e cila ka mbetur e bllokuar për më shumë se 20 minuta për shkak të goditjes së fortë.

Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve për prerjen e derës, dëmtimi i madh i ka marrë jetën.

Lënduarit e tjerë ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve

Ndalohen për 48-orë dy vëllezërit për rastin e vrasjes së 27-vjeçarit në Prizren

Janë arrestuar dhe ndaluar për 48 –orë të dyshuarit, vëllezër mes vete njëri 19-vjeç e tjetri 16 për vrasjen e 27-vjeçarin në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

27-vjeçari ka vdekur pas plagëve të marra pas goditje me thikë, nga të arrestuarit.

Në këtë rast, i lënduar rëndë ka mbetur edhe babai i 27-vjeçarit.

Ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje lidhur me emrin e një rruge, ndërsa që personat e përfshirë në këtë kishin lidhje familjare mes vete.