E rëndë në Shqipëri: Dy të vrarë, dhe dy të plagosur

(E PLOTËSUAR) Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në Shkodër, ku raportohet për dy të vdekur  dhe dy të plagosur.

Të shtënat me armë zjarri janë shënuar në zonën e njohur si “5 Heronjtë e Vigut”, në lagjen e Dobraçit, ndërkohë që autoritetet janë mobilizuar menjëherë për të hetuar rrethanat e incidentit.

Sipas informacioneve paraprake, kemi të bëjmë me një atentat, ku automjeti me të cilin lëviznin 4 personat u qëllua me breshëri plumbash nga një tjetër automjet në lëvizje.

Raportohet se edhe personi i plagosur është në gjendje të rëndë shëndetësiore. Ai është transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia ka ngritur disa postblloqe në qytetin e Shkodrës dhe po vijon punën për kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. /EuronewsAlbania/

Rritja e pagave në sektorin publik – kaq do të paguhen Osmani, Kurti e Konjufca nga viti i ardhshëm

Qeveria e Kosovës të martën paralajmëroi rritjen e pagave për sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm.

Rritja do të jetë 110 euro në total, ku fillimisht në muajin janar do të ketë rritje prej 55 euro, kurse edhe 55 euro të tjera do tu shtohen në muajin korrik.

Sipas një tabele që ka realizuar Radio Evropa e Lirë, presidentja Vjosa Osmani e cila aktualisht ka pagën 1 mijë e 980 euro, me rritjen e proklamuar nga Qeveria në janar të 2025-ës ajo do ta ketë 2 mijë e 35 euro, kurse në korrik paga e saj do të arrij në 2 mijë e 90 euro.

Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca të cilët aktualisht kanë pagë mujore prej 1 mijë e 870 euro, në janar do të marrin 1 mijë e 925 euro, kurse në korrik 1 mijë e 980 euro.

Deputetët dhe ministrat që aktualisht paguhen me nga 1 mijë e 804 euro,  nga janari do të paguhen 1 mijë e 859 euro, kurse në korrik paga e tyre do të arrij në 1 mijë e 914 euro.

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari aktualisht ka pagë prej 1 mijë e 650 euro, kurse në janar paga e tij do të arrij në 1 mijë e 705 euro ndërsa në korrik 1 mijë e 760 euro.

Drejtoi i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha aktualisht paguhet 1 mijë e 595 euro, në janar ai do të marr 1 mijë e 650 euro, kurse në korrik 1 mijë e 705 euro.

Pagat do të rriten edhe për ushtarët, policët, zjarrfikësit, mësuesit, mjekët, infermierët dhe kategoritë e tjera të sektorit publik. /Telegrafi/

Një i vdekur në aksidentin e rëndë Prishtinë – Pejë

Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot në rrugën Prishtinë – Pejë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.

“Në ora 13:42, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion për një aksident trafiku me lëndime të rënda trupore në rr. Pejë-Prishtinë, në fshatin Llozicë. Patrulla policore nga Stacioni policor i Malishevës menjëherë kanë dalë në lokacionin e raportuar dhe kanë njoftuar se një person dyshohet se është pa shenja jete. Janë njoftuar njësitë tjera relevante dhe lidhur me këtë rast po kryhen hetime për të sqaruar rrethanat dhe shkaktaret e këtij aksidenti tragjik”, deklaroi Hoxha.

Hoxha tha se pas pranimit të raportimeve shtesë nga njësitet kompetente lidhur me rastin do te informoheni me kohë.

Ra shi sa për 1 vit – pamje nga përmbytjet shkatërruese në Spanjë

Numri i të vdekurve vazhdon të rritet me të paktën 51 persona dihet se kanë vdekur deri më tani, pasi shiu i rrëmbyeshëm shkaktoi përmbytje shkatërruese në juglindje të Spanjës.

Pamjet e ngarkuara në mediat sociale tregojnë përmbytjet që kanë shkaktuar kaos, duke rrëzuar ura dhe “zvarritur” makinat nëpër rrugë, përcjell Telegrafi.

Në qytetin Chiva pranë Valencias, “në vetëm tetë orë ra shi sa për një vit” dhe zyrtarët lokalë thonë se është “e pamundur” të vendoset një shifër përfundimtare për numrin e njerëzve që kanë humbur jetën.

Ndërkohë bëhet e ditur se më shumë se 1000 trupa janë duke u vendosur për të ndihmuar me operacionin e shpëtimit, pasi shumë njerëz mbeten të pagjetur.

 

Publikohen pamjet e “përplasjes fizike” ndërmjet banorëve në BBVK

Si duket një ‘përplasje fizike’ është arsyeja se pse u ndal transmetimi mbrëmë në orët e vona në Big Brother Vip Kosova.

Gjithçka siç duket nisi me Xhenetën e cila zgjoi nga gjumi banorët me tenxhere. E më pas në këtë diskutim të ashpër u përfshinë edhe Vullneti, Mevlani, Drenusha e Rrezarti.

Një afrim i tepërt i Mevlanit kundrejt Vullnetit duke i thënë “mbylle gojën” duket se e nxori nga vetja Xuxin i cili e shtyn me sa fuqi kishte Mevlanin dhe kështu banorët mezi arrijnë ti ndajnë.

E në këtë kohë po raportohet dhe janë publikuar edhe video në rrjete sociale se BBVK ndaloi transmetimin në dy kanalet live 24 orë.

Nuk dihet ende nëse kjo përleshje ka arritur në nivele edhe më të rënda apo se cila ishte arsyeja e ndaljes së transmetimit pikërisht në ato momente.

Ndiqni pamjet më poshtë:

“Po më dhemb zemra prej marres…” – Xuxi shprehet i turpëruar për situatën e mbrëmshme

Xuxi është shprehur i turpëruar për situatën e krijuar mbrëmë pas veprimeve të Xhenetës, e cila acaroi banorët me zhurmën që shkaktoi derisa ata po flinin.

Rovena e pyeti nëse është më mirë, ndërsa Xuxi i konfirmoi se është qetësuar megjithatë u shpreh i turpëruar.

”Marrja e Zotit. Po më vjen marre prej vetvetes teme”.

”Po më vjen turp, se e kam vajzën 18 vjeç sa ajo, ajo me shiqon”.

”Të betohna në Zot, prej turpit po më dhemb zemra. Aq jom keq as mendja s’ta merr. Çika jem më kqyr. Thotë ‘po përlahet me ato’. A çikën e kom sa kjo, sa Xheneta”.

Ndërsa Rovena i tha se e kanë provokuar.

”S’ke faj, je provoku, ça t’thush”, u shpreh ajo.

Kusari-Lila urdhëron deputetët e VV-së të votojnë kundër ligjit për veturat më të vjetra se 10 vjet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku në seancën e sotme ka kërkuar që të ndryshohet ligji për automjete, i cili ndalon importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet.

Lushtaku ka thënë se ky ka qenë shqetësim i familjeve me të ardhura më të vogla, të cilat nuk kanë mundësi të blejnë vetura të shtrenjta.

Lëvizja Vetëvendosje ka votuar kundër kësaj, e siç shihet në disa pamje, një gjë e tillë u kërkohet deputetëve nga shefja e tyre, Mimoza Kusari-Lila.

Kryetarja e komisionit që është marrë me këtë çështje, Fitore Pacolli, u bëri thirrje deputetëve të votojnë kundër, pasi sipas saj, ka propozime joprofesionale.

“Komisioni ka shqyrtuar propozimet të cilat kanë ardhë nga deputeti, komisioni mendon se propozimet janë joprofesionale prandaj kërkojmë nga deputetët që mos t’i votojnë. Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës po rregullon ligjin e ri…ta presim i cili do të ketë ndryshime profesionale për ligjin për automjetet.” – tha ajo.

Ndërkohë, në një mesazh të kapur nga Nacionale, Mimoza Kusari – Lila “urdhëron” po ashtu deputetët e VV-së që të votojnë kundër.

Propozimi për ndryshimin e ligjit nuk kaloi, duke marrë 52 vota kundër, pesë abstenim dhe vetëm nëntë për.

Vdes një person në veri, dyshohet se konsumoi sasi të tepërt të alkoolit

Konsumimi i një sasie të tepërt të alkoolit i kushtoi me jetë një qytetari në Mitrovicë të Veriut. Viktima u gjet i vdekur në banesën e tij nga një familjar para disa ditësh dhe për rastin Policia tashmë ka nisur hetimin, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali bëhet fjalë për një 41-vjeçar, i cili dyshohet se ka konsumuar alkool në sasi të madhe dhe për pasojë ka humbur jetën.

Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes dhe trupi më pas është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Veri.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është hapur si ‘Hetim i vdekjes’.