Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka shprehur kundërshtimin e tij të fortë ndaj mundësisë së një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se një bashkëpunim i tillë do ta shtynte të largohej nga Vetëvendosje dhe mund të dorëhiqej nga posti i deputetit.
Bahtiri citohet të ketë thënë: “Unë nuk e besoj një gjë të tillë asnjëherë. Por dua ta bëj të qartë që ky është mendimi im personal: në momentin që Vetëvendosje bashkëpunon me PDK-në, unë nuk do të jem më pjesë e asaj liste. Do të largohem nga VV-ja dhe ndoshta do të heq dorë edhe nga mandati im si deputet, për shkak të veprimeve të dëmshme që i ka bërë PDK-ja gjatë periudhës pasluftës.”.
Bahtiri ka shtuar gjithashtu se Vetëvendosje ka numrat e mjaftueshëm për të formuar qeverinë, duke theksuar se kjo është e mundur pa nevojën për një koalicion me PDK-në:
“Sipas meje, numrat për formimin e qeverisë janë siguruar, dhe brenda dy javëve do ta dëshmojmë këtë para qytetarëve.”, tha për rtv21.
Ai ka bërë të qartë gjithashtu se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe nuk është në dorë të një partie të vetme.
“Qeverinë e formon partia që ka marrë besimin e qytetarëve dhe mandatin për ta udhëhequr vendin,” ka thënë Bahtiri.