Bedri Hamza jep premtimin e madh për puntorët e sektorit privat
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se do të kujdeset edhe për të punësuarit në sektorin privat, duke e krijuar fondin për të papunët dhe do të themelojë Gjykatën e Punës.
“Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet sidomos lehonave, duke i mbrojtur ato, familjet dhe bizneset, si dhe duke i mbështetur financiarisht. Do t’i legalizojmë ndërtimet pa leje me tarifë simbolike dhe do të zhbllokojmë miliarda euro kapital të bllokuar. Do t’i përfundojmë autostradat dhe do të ndërtojmë lidhje të reja rrugore dhe hekurudhore, ashtu që qarkullimi i mallrave dhe njerëzve do të jetë më i shpejtë, më i lirë, më i sigurt”, ka thënë Hamza.
Ai ka premtuar të ndërtojë edhe kapacitete të reja energjetike që të garantohet furnizim i qëndrueshëm e stabil.
“Kjo është ekonomia që duam: e lirë, e drejtë dhe në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Hamza.
