Zafir Berisha ka bërë të ditur se në balotazh do ta mbështesë Artan Abrashin e Lëvizjes Vetëvendosje në garën për të parin e Komunës së Prizrenit kundër Shaqir Totajt të Partisë Demokratike të Kosovës.
Berisha me anë të një video-adresimi ka hedhur akuza të rënda ndaj Totajt dhe Kujtim Gashit, nënkryetarit të PDK’së në Prizren.
“Filloj këtë adresim për ju, për t’ju thënë se qëndrimet e mia rreth politikave vazhdojnë të mbesin të njëjta. Mirëpo, kjo nuk duhet të nënkuptohet nga arroganca e binomit Shaqir-Kujtim se unë mund ta mbështes klanin e tyre të hajdutëve që po programohet dhe koordinohet me hajduta të tjerë të LDK-së. Kam qenë për ndryshime, jam dhe do të mbetem. Por, marrëveshjet nën tavolinë dhe mbi tavolinë ku Prizrenin e trajtojnë si mall në tregjet e Kandaharit apo si prona që ua ka lënë baba, unë në këtë formë nuk mund ta mbështes askënd”, ka deklaruar ai.
“Mund të kem dilemat e mia, mirëpo nuk bëhem pjesë e kombinimeve për pazare të ngushta të grupeve parapolitike të LDK-së dhe PDK-së. Unë e njoh edhe Shaqën edhe Artanin dhe e kam thënë në fillim: Në momentin e duhur unë nuk do të vendos për Albinin apo për Memli Krasniqin, që për mu të dy janë njëjtë. Do të vendos për Artanin apo Shaqën dhe në këtë rast, unë do të vendos në balotazh ta mbështes Artanin, djalin e një miku tim të ndjerë i cili është në një garë të papërvojë. Por, jam i bindur që nuk do ta vazhdojë mandatin si hajdutat e Shaqir Totajt që zhvatin qytetin e Prizrenit dhe ndërtojnë në Tropojë dhe Suharekë”, vijon deklarimi i tij.
Berisha ka kritikuar ashpër pushtetin qëndror të LVV’së në vazhdimësi.




