Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar për shkuarjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, në seancën dëgjimore në rastin ku po dyshohen për kanosjen e tij Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani.
Behrami me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se Kurti është gjithmonë i gatshëm të dëshmojë kundër njerëzve të UÇK’së, shkruan Insajderi.
“Kundër njerëzve të UÇK-së, Albin Kurti gjithmonë është i gatshëm të dëshmojë në gjykatë! Për afera korruptive, për të amnistuar krimet ekonomike, nuk i përgjigjet drejtësisë”, deklaroi Behrami.
Sipas Betimit për Drejtësi, dy të akuzuarit për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 3 shtator.
I pranishëm në gjykatë ishte edhe Kurti, në cilësinë e të dëmtuarit, i cili tha se nuk paraqet kërkesë pasurore juridike.
Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani u deklaruan rreth fajësisë, pasi prokurori Bekim Kodraliu lexoi aktakuzën.
“Konsideroj se nuk ka vepër penale dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kanosje dhe nuk e pranoj”, tha Klinaku.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër, Nuredin Selmani po ashtu i deklarua i pafajshëm.
“Jo, nuk i pranoj” akuzat, tha ai.