Pasditja nuk e gjen asnjëherë Gafurr Rexhepin në shtëpi.
28-vjeçari nga Fushë-Kosova, mes punës e halleve, po mundohet të mbajë gjallë pesë fëmijë të vegjël.
Të njëjtën ditë kur duhej të siguronte bukën e gojës, ai u detyrua ta lërë punën për të shkuar në gjykatë. Në duar, Gafurri mban një copë letre nga Gjykata në Fushë-Kosovë, aty ku më 20 tetor, për herë të parë pas tri vjetësh, u përball me ish-gruan, Selvete Kadriajn.
Sipas Gafurrit, ajo kishte ikur nga shtëpia për t’u martuar me dikë tjetër, duke braktisur pesë fëmijët e tyre.
“Nuk na ka thirrë asnjëherë, as me pa si janë fëmijët. Asnjë telefonatë s’ka bo”.
Por ajo që e dhemb më shumë, thotë Gafurri, nuk është vetëm mungesa e nënës.
Janë edhe paratë e fëmijëve, shtesat që ndante Qeveria e Kosovës çdo muaj, të cilat për tre vjet përfunduan në xhirollogarinë e Selvetes.
“I mori krejt paratë e fëmijëve. 990 euro gjithsej, e asnjë cent s’ua ka dhanë.”
Si shkak i kësaj, djali i madh thotë se ka lënë edhe shkollën.
Në oborr luajnë tre prej fëmijëve, ndërsa dy të tjerët ndihmojnë babain me punët e shtëpisë.
