Sahit Tmava nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është caktuar si prokuror përgjegjës për hetimin e rastit të fletëvotimeve në këtë qytet.
Deri më tani, rastin e ka trajtuar prokurori Shpejtim Peci, por ai tashmë është zëvendësuar nga Sahit Tmava nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut.
Ky vendim vjen pas sqarimeve të kompanisë sllovene CETIS lidhur me printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë.
Sipas CETIS, problemi i numërimit ndodhi vetëm në njërën nga katër kokat e printerëve me ngjyrë, e cila ishte përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit. Kompania ka marrë përgjegjësinë për këtë gabim, duke theksuar se në rrethana normale, një situatë e tillë do të ishte pothuajse e pamundur.
Prokuroria gjithashtu ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë gjithë procesit deri në përfundimin e plotë të numërimit.
