Duda Balje dyshon për komplot të pushtetit, a po synojnë ta largojnë nga Kuvendi?
Deputetja Duda Balje ka ngritur alarmin për një komplot të pushtetit.
Ajo ditë më parë theksoi se motra e Donika Kadaj-Bujupit, Ena Kadaj-Krasniqi, ka kandiduar për deputete me Koalicion Vakat, partinë rivale të Baljes.
Pavarësisht se dy motrat Kadaj kanë lindur në Sarajevë dhe nëna e tyre është boshnjake, deputetja Balje ka thënë për Nacionalen se Ena Kada, nuk ka haber për komunitetin boshnjak.
Dyshimet janë sidomos për faktin se Donika Kadaj, edhe në faqen zyrtare të Kuvendit, figuronte si shqiptare për nga etnia. Ajo kishte qenë deputete për disa mandate me partitë shqiptare.

Duda Balje dyshon se ky mund të jetë një plan, nëpërmjet të cilit edhe mund të synohet largimi i saj nga Kuvendi, siç ishte tentuar në vitin 2021 me Adriana Hoxhiq.
“Nuk e di a ka këtë qëllim, ai një qëllim ka, mendoj që veç vendimi për të qenë në listën e komuniteteve, ka një plan. Sepse deri tash as Donika as Ena, unë për Enën kurrë nuk kam dëgju, unë mendoj se është plan. Unë e di që nanën e kanë prej Bosnjës, e di që kanë lind në Bosnjë, por kjo nuk është vërtetim nacionaliteti, me Kushtetutë këto nuk janë të mjaftueshme me thënë jemi boshnjake. Ato nuk e kanë jetu jetën e boshnjakëve, në asnjë event që kemi pasur, që 15 vjet në nivel qendror, kurrë nuk kam dëgju që kanë dhënë ndonjë deklaratë për problemet e boshnjakëve, nuk kanë qenë prezent në festë të boshnjakëve, ose kanë shënu Srebrenicën, asnjëherë. Ato folin gjuhën shqipe me vetdeklarim se janë shqiptar, babën e kanë prej Kosovës, është dyshim”, tha Balje.
Në vitin 2021, PZAP ia kishte anuluar mijëra vota Adriana Hoxhiqit që i kishte marrë në komunat serbe, kjo duke konstatuar se aty ku shumicë është komuniteti serb, nuk mund të zgjedhin përfaqësues boshnjak.
“Për mua është mjaftueshme se Ena kurrë nuk ka deklaru veten si boshnjake, kur nuk ka fol gjuhën publikisht, ose facebok. Është e panjohur. Në mënyrë kulturore, familjare, përdorimi i gjuhës, ata kurrë nuk kanë asnjë dyshim më të vogël se janë boshnjak, as jetën nuk e kanë pas qashtu. Për neve boshnjakëve është Deja Vu, koalicioni Vakat kanë dashtë me bo këtë me votat e shqiptarëve në zgjedhjet 2021, më pas Gjykata Supreme ka anulu këto vota, koalicioni Vakat, po do me bo jo me serb, po me persona që për interesa, ose nuk e di për çka, po donë me qenë boshnjake”, tha Balje më tutje për Nacionalen.
Dyshimet janë ngritur se motra e Donika Kadaj-Bujupi që tash është këshilltare e presidentes Osmani, mund të synojë të marrë më shumë vota nga shqiptarët, në mënyrë që Duda Balje, kundërshtare e qeverisë së VV-së, të largohet nga Kuvendi.
Balje paralajmëron ankesa.
“Për mu, unë jam tu prit certifikimin e listës, nuk e di nëse ka me ndodh sot. Edhe unë ka me prit certifikimin, nëse ata certifikohen Enën në Vakat, ka me bo ankesë në KQZ, më pas edhe në PZAP, unë vërtetë jam e bindur edhe në bazë krejt faktet që mundemi me mbledh, nëse zonja Kada, Kadaj apo Krasniqi, ka disa mbiemra, nuk ka deklaru veten, nuk e besoj se ata ndjehen si boshnjake. Prejardhja e nanës është diçka tjetër, ka me lyp personalisht edhe ndihmën e presidentes, edhe prej ambasadave, sepse Vjosa Osmani, Donika punon si këshilltare aty, nuk besoj që Vjosa ka me leju këtë. Zonja presidente ka punë të rëndësishme për komunitetet. Nëse këto kanë me ndodh, paramendo çka ndodh nesër. Komuntiteti serb, turk apo shqiptar, 5 ditë para zgjedhjeve thonë unë jam rom, e ndjej kështu, e nxjerri një deklaratë me 3 nënshkrima, dhe aplikoj me qenë deputete rome. Çfare precedenti është ky, me prish politikën multietnike në Kosovë. E di që me votat e shqiptarëve lehtë mundesh me qenë deputete, po nuk është fer. Ena nuk ka njohje asnjë njohje për asnjë problem të boshnjakëve, kurrë nuk ka qenë prezent, asnjë deklarim, asnjë mendim, nuk e besoj se ajo e di edhe ku jetojnë boshnjakët në Kosovë”, tha Duda Balje.
Nacionale ka kontaktuar disa herë gjatë ditës edhe me motrën e Donika Kadajt, Enën, por e njëjta nuk e ka hapur telefonin.
Koalicioni Vakat ditë më parë kishte mohuar akuzat e Baljes.
“Ena Kadaj ka lindur në Sarajevë. Ajo mori emrin Ena sipas gjyshes së saj Tenzila, e lindur në Foçanka, dhe origjina e saj është sipas nënës së saj Mirsada Kamberovic, e lindur në Sarajevë. Jeton në Lindje. Familja Kamberovic është një familje e respektuar sarajevase, e njohur për vlerat e saj morale dhe shoqërore. Koalicioni Vakat nuk do, dhe as nuk ka pasur ndonjëherë për qëllim, të rrezikojë vendet e garantuara që i përkasin komunitetit boshnjak. Përfaqësimi politik i boshnjakëve mbetet përparësia dhe detyrimi ynë, pavarësisht përpjekjeve të individëve për të minuar integritetin dhe unitetin e komunitetit tonë”, thuhet në reagim
