Dugolli publikon foto nga spitali me Hysni Mehanin
Lëvizja Vetëvendosje tha se sot, në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, është sulmuar nga Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani.
Enver Dugolli ka reaguar duke thënë se LVV nuk do ndalet me sulme të tilla.
“Në Spitalin e Mitrovicës vizituam aktivistin tonë dhe zëvendësministrin, Hysni Mehani. Personeli mjekësor po kujdeset për gjendjen e tij shëndetësore dhe u jemi mirënjohës për profesionalizmin e treguar. Sami Lushtaku, ta kesh të qartë: me sulme fizike, presione dhe metoda banditeske nuk do ta ndalni kurrë Hysniun dhe as Lëvizjën Vetëvendosje. Dhuna është arma e atyre që nuk kanë argumente politike dhe që përpiqen të mbjellin frikë te qytetarët dhe aktivistët politik përmes sulmeve fizike, kërcënimeve dhe presionit”, thuhet aty.

Tutje, Dugolli ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës që të distancohet nga Lushtaku.
“E dënojmë fuqishëm dhunën, kërcënimet dhe sulmet fizike si instrument të frikësimit politik. Askush nuk mund ta ndalë vullnetin qytetar për ndryshim me dhunë, presion apo banda politike. Ftojmë Partinë Demokratike të Kosovës që, nëse kanë sadopak guxim politik e njerëzor, ta dënojnë qartë dhe pa asnjë hezitim këtë sulm të papranueshëm”, ka shkruar Enver Dugolli.
