Dy seancat e ftuara nga VV’ja, reagon LDK’ja

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje po tenton të shfrytëzojë institucionet e vendit për qëllime elektorale. Reagimi i tyre vjen pas ftesës së dy seancave të jashtëzakonshme për nesër.

Në një komunikatë për media, LDK thotë se vendi po mbahet në pasiguri politike prej muajsh pikërisht nga ata që sot po paraqesin urgjencë një proces që vetë e kanë zvarritur, shkruan Insajderi.

Sipas LDK-së, njëjtë ka vepruar edhe mandatari i propozuar nga VV, të cilit i janë dhënë 15 ditë pavarësisht se “nuk kishte numra” dhe se procesi ishte i destinuar të dështonte. LDK e cilëson këtë si propagandë, e jo si përpjekje reale për krijimin e shumicës parlamentare.

“Po të kishte vullnet për shumicë, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë. Qëllimi nuk ka qenë shumica, por materiali elektoral dhe mbajtja peng e vendit”, thuhet në reagim.

LDK njofton se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, duke e konsideruar atë një improvizim që shpërfill rregulloren, me agjendë të ngarkuar me marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje që kërkojnë seriozitet e konsultim.

Sqaron se do të jetë e pranishme vetëm në seancën e orës 14:00, kur të pranojë ftesën zyrtare dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit.

“LDK mbetet e përkushtuar ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës. Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë dhe krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore”, përfundon komunikata.