Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se raportet personale me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, janë shumë miqësore, megjithatë ka dallime të pashmangshme në aspektin institucional.
Në një intervistë për DW Shqip, Rama theksoi:
“… unë me Albinin kam një marrëdhënie shumë miqësore në aspektin personal, por kemi dallime të pashmangshme në këndvështrime, dhe këto dallime i ndajmë në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Në të gjitha aspektet e bashkëpunimit me Kosovën, në bashkëpunimin ndërshtetëror, kemi bërë goxha përparim, dhe jemi duke punuar bashkërisht për një vepër madhore siç është hekurudha Durrës-Prishtinë”.
Rama gjithashtu foli për akuzat mbi marrëdhëniet e tij me Serbinë, duke thënë:
“I mirëkuptoj të gjitha ato që më janë vendosur si etiketa… nuk i marr me të keq. Raporti im është me të vërtetën dhe me njerëzit që më besojnë, nuk është me nevojën që të gjithë të jenë dakord apo të pëlqejnë atë që e bëj unë”.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai theksoi se Prishtina duhet të përmbushë të gjitha obligimet e saj unilaterale, ndërsa topi duhet t’i lihet Serbisë.
“Sipas meje, Kosova duhet ta harrojë krejt Serbinë… duhet të përmbushë në mënyrë unilaterale të gjitha kërkesat e dialogut dhe t’ia lë topin në derë Serbisë… duhet të shkëputet totalisht nga Serbia dhe nuk duhet të jetojë me idenë e Serbisë”, u shpreh Rama.
