Familja e Liridona Ademajt ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për të urdhëruar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij. Leonard Ademaj, vëllai i viktimës, shprehu zhgënjimin dhe e cilësoi këtë si një tentativë për të vonuar procesin gjyqësor, shkruan Gazeta Sinjali.
“Së pari, faleminderit shumë për angazhimin tuaj. Sa i përket rastit, për ne si familje ka qenë tepër e rëndë humbja e Liridonës. Ne presim që ky hap procedural, që është kërkuar prej mbrojtjes së të akuzuarit, të përfundojë sa më shpejt,” ka deklaruar Leonard Ademaj për Tëvë1.
Ai tha se kërkesa e mbrojtjes është një përpjekje për të zvarritur dhe keqpërdorur procedurat ligjore, duke dëshmuar sipas tij fajësinë e të akuzuarit.
“Konsiderojmë se kjo është një përpjekje për të shmangur gjykimin përmes keqpërdorimit të procedurave. Nuk e kundërshtojmë që të kryhen ekzaminimet, por ato flasin vetë për fajësinë e të akuzuarit dhe shfrytëzimin e të gjitha mjeteve – brenda e jashtë dispozitave ligjore,” ka shtuar Ademaj.
Familja kërkon që gjykimi të vazhdojë pa vonesa dhe që drejtësia të vihet në vend për humbjen tragjike të Liridonës.