Ushtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bali Hoxha është suspenduar nga detyra e tij pasi po ndaj tij është duke u zhvilluar një proces gjyqësor në Britani me akuzat për sulm seksual.
Lajmin për suspendimin e tij e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Vëllazërim Qerimi.
“Pasi që jeni njoftuar nga pala britanike për rastin në fjalë, FSK ka marr masat bazuar në aktet ligjore në fuqi, është suspenduar dhe jemi duke pritur procesin në lidhje me rastin” ka thënë Qerimi për Insajderin.
BBC ka raportuar të mërkurën se Bali Hoxha, 28 vjeç, që ishte pjesë e kampit West Tofts në Thetford, Norfolk, akuzohet për përdhunim dhe dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje.
Lidhur me këto akuza, ushtari i ka mohuar para trupit gjykues në Britani.
Sulmi i pretenduar ndodhi përgjatë një shtegu këmbësorësh midis rrugës Prince of Wales dhe qendrës tregtare Riverside Retail Park, rreth orës 23:30 më 17 shtator, në Norwich.
Hoxha është dërguar në paraburgim nga Gjykata e Kurorës në këtë qytet deri në fillimin e gjyqit më 7 prill, i cili pritet të zgjasë pesë ditë.
Hoxha është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por është kontraktuar për të trajnuar ushtarë ukrainas në terrenin stërvitor të Ushtrisë Britanike pranë Thetfordit, në bazë të një kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes.
Ai konfirmoi vetëm emrin gjatë paraqitjes në gjykatë, por avokati mbrojtës Jonathan Goodman ka thënë se, ndonëse anglishtja e tij ishte e mjaftueshme për seancën e pranimit të fajësisë, do të kërkohej një përkthyes në gjuhën shqipe për gjyqin dhe për çdo seancë ndërmjetëse.
Gjithashtu, tre dëshmitarë, që janë po ashtu pjesëtarë të FSK-së, do të kenë nevojë për përkthyes kur do të mbahen seancat.
Gjykatës iu tha se ka gjasa që ata dëshmitarë të jenë të angazhuar në Kosovë në kohën e gjyqit, por FSK-ja do t’i lirojë për të marrë pjesë në seancë.




