Gazmend Syla: Gjysmë milioni vota kundër UÇK-së, shteti po shkëputet nga lufta që solli lirinë
Kandidati i AAK-së për deputet, Gazmend Syla, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore duke thënë se rreth gjysmë milioni vota janë orientuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Syla ka deklaruar se një listë “pa vlerë kombëtare” ka fituar përballë tri listave të tjera, të cilat sipas tij përfaqësonin atdhetarë, patriotë, udhëheqës lufte dhe luftëtarë të dëshmuar.
I plotë:
Rreth gjysmë milioni vota kundër UÇK-së.
Një listë pa asnjë vlerë kombëtare fitoi përballë tri listave të tjera, të mbushura me atdhetarë, patriotë, udhëheqës lufte dhe luftëtarë të dëshmuar.
Një listë që për pesë vjet nuk e ktheu kurrë kokën nga luftëtari.
Një listë që, bashkë me Listën Serbe, e la luftëtarin me 204€ pension, shumë që nuk mjafton as për të paguar faturën e rrymës.
Një listë që tha se më mirë ishte të paguhen mercenarë e huaj sesa luftëtarët e popullit.
Një listë që nuk la ofendim e fyerje pa ia drejtuar luftëtarëve, këtu e atje, ndërkohë që ata mbahen me duar të lidhura.
Fatkeqësisht, shteti po shkon duke u shkëputur nga lufta që e solli lirinë, dhe kjo ka emër.
