Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla nga radhët e Listës Guxo është deklaruar sot lidhur me raportimet e mëhershme në media se është dëshmitare në Hagë.
Ajo theksoi se është fushatë që bëhet për denigrimin dhe baltosjen e personalitetit të saj.
“…Nuk jam dëshmitare e Hagës…Pyetni avokatët e të akuzuarve në Hagë se ku figuron emri im, në cilën dëshmi figuron emri im… Është keq kur fushatën kundër një ministri e bazon në gënjeshtra… Sot e tutje do të marr hapa ligjor kundër secilit që pretendon publikisht se unë kam dërguar dëshmi në Hagë ose jam dëshmitare…Ndoshta nuk e kanë ditur në fillim të procesit, por sot gjithkush e dinë sepse trajtimi i dëshmive nga ana e akuzës ka përfunduar”, tha Gërvalla.
Ajo po ashtu foli edhe për kontributin e saj në luftën çlirimtare.
“Edhe diçka të gjithë ata që më sulmojnë në publik si anti-UÇK duhet të maten fort mirë, sepse mund t’ju dalë që historia të tregojë se kur unë kam kontribuar në luftën çlirimtare si person dhe strukturë disa të tjerë ende kanë qenë duke pirë qumësht”, shtoi Gërvalla.