Hamza mbledh deputetët e PDK-së, merret ky vendim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka zhvilluar të hënën një takim me deputetët e zgjedhur të kësaj partie, ku është diskutuar për situatën aktuale politike dhe nevojën për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të vendit.
Sipas një njoftimi të PDK-së, në takim është vlerësuar se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve duhet të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme.
“Procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve duhet të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme. Vazhdimi i bllokadës institucionale nga ana e partisë në pushtet, pas një periudhe të gjatë pasigurie politike dhe zgjedhjesh të njëpasnjëshme, vetëm sa e thellon krizën, pengon zhvillimin ekonomik dhe dëmton interesin e qytetarëve dhe të shtetit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Në takim, deputetët e zgjedhur të kësaj partie kanë ritheksuar se Kosovës i nevojiten institucione funksionale që do të përballen me sfidat e vendit dhe do të fokusohen në prioritetet e qytetarëve.
“Kosovës i duhen institucione të afta për t’u përballur me sfidat me të cilat përballet vendi, duke u fokusuar në prioritetet e qytetarëve: zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, forcimin e shtetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës”, thuhet më tej në njoftim.
PDK-ja i ka bërë thirrje subjektit që ka dalë i pari në zgjedhjet parlamentare të marrë përgjegjësinë për zhbllokimin e procesit të krijimit të institucioneve.
“Partia Demokratike e Kosovës i kërkon subjektit politik që ka dalë i pari në zgjedhje të marrë pa vonesë përgjegjësinë kushtetuese dhe politike që i takon për zhbllokimin e procesit të krijimit të institucioneve. Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik, institucione funksionale dhe vendimmarrje që u përgjigjet pritjeve të qytetarëve, jo për zvarritje të proceseve që dëmtojnë interesin publik dhe të ardhmen e vendit”, përfundon njoftimi.
