Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila është edhe e propozuara e partisë së saj për kryeparlamentare, ka përsëritur atë që dje ta shefi i saj, Albin Kurti, që “opozita po ia zgjat mandatin e Qeverisë Kurti”.
Ajo ka bërë përgjegjëse deputetët e partive të tjera për bllokadën në Kuvendin e Kosovës, duke insistuar sërish se tashmë çështja është të mungesa e votimit për Komisionin zgjedhor që do të mundësonte votimin e fshehtë dhe jo te mungesa e votave për të.
E pyetur nëse Vetëvendosje mund të japë një emër tjetër për kryerparlamentar, Haxhiu tha se për këtë flet partia, por se fillimisht duhet të formohet Komisioni.
“Sa herë të flisni për propozimin e Vetëvendosjes, ta merrni përgjigjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo e ka dhënë propozimin e saj dhe në këtë drejtim më s’po flasim më për emrin, por për Komisionin për votimin e fshehtë. Kushedi, ndoshta Vetëvendosja do ta ketë një qëndrim tjetër. Por, opozita s’po lejon as të shkojë te propozimi i radhës, por që është e rëndësishme që të vazhdojmë”.
Haxhiu pretendoi se për të dhe partinë e saj është i rëndësishëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe më pas krijimi i qeverisë së re meqë Vetëvendosje insiston se ka numrat për qeverinë.
“E rëndësishme është që të përmbyllet konstituimi i Kuvendit dhe të vazhdojmë me qeverinë e re. Kemi shumë punë për të bërë”.
Ajo tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth ndryshimit të procedurës – nga votim i hapur në të fshehur – çështje të cilën e ka dërguar AAK për vlerësim.
“Urojmë që të dalë sa më parë. Do ta respektojmë vendimin e GJykatës Kushtetuese, por s’mund ta respektojë vetëm një parti. Problemi kryesor është që opozita ka vendosur të vijë në seancë e të mos votojë. Veprim i papërgjegjshëm politik – është edhe shkelje e aktgjykimit të GJK, por edhe duke ardhë në seancë dhe duke mos votuar ky është qëndrim barrikadues”.