Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës.
Dy vëllezër kanë mbetur të vrarë, ndërsa i dyshuar për rastin është dhëndri i tyre A.I.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se ndaj A.I ishte ngritur aktakuzë në prill të këtij viti për dy vepra penale “Dhunë në Familje” dhe “Kanosje”.
“Ndaj personit me datë 06.04.2025 është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit e cila po të njëjtit i është caktuar nga Gjykata. Poashtu me 07.04.0225 Prokuroria Themelore në Prishtinë ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për “Dhunë familje” dhe “Kanosje”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala për Reporteri.net.
I dyshuari tashmë është identifikuar por që nuk është kapur ende nga Policia. Kërkimet intensive për të po vazhdojnë ende, me aktivizimin edhe të Njësisë K9.

Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se viktimat janë një 30-vjeçar dhe një 40 vjeçar.
Në raportin e Policisë u bë e ditur se rreth orës 11:30, viktimat u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, ku më pas mjekët konstatuan vdekjen e tyre.




