I ftoi për koalicion, nga AKR i përgjigjen Abdixhikut

“Ftoj partitë tjera për t’iu bashkuar LDK-së në një listë të përbashkët elektorale. LDK do të rezervojë një pjesë të listës për partitë që bashkohen, përfshirë zotin Limaj me partinë e tij. Kemi gatishmëri për bashkëpunim edhe me demokristianët, Partinë e Drejtësisë, AKR-në e zotit Pacolli, etj. Jemi të hapur edhe për individë”, kështu ka deklaruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku të hënën në një konferencë për media.

Abdixhiku i cili edhe shpalli kanidaturën e tij për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka deklaruar se nominimi i tij është mbështetur plotësisht nga Kryesia e partisë.

“Kryesia e LDK-së e konsideron se përderisa ka kryetar partie, nuk ka nevojë të ketë kandidat tjetër për kryeministër, prandaj më nominoi”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje, ai ka treguar se ka hequr dorë nga përpilimi i listës së kandidatëve për deputetë dhe renditja e tyre, duke theksuar se këtë proces do ta kryejë një grup më i gjerë brenda partisë për të shmangur pakënaqësitë dhe për të siguruar transparencë.

Gjersa, Abdixhiku ka thënë se LDK do të garojë e vetme në zgjedhje, por e hapur për bashkëpunim me subjekte të tjera politike, gazeta “Bota sot”, ka pyetur Aleancën Kosova e Re nëse do t’i bashkangjitet LDK-së.

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, thotë se do ta shqyrtojnë ofertën e kandidatit të LDK-së për kryeministër në ditët në vazhdim për përcaktimin e tyre.

“Në zgjedhjet lokale për kryeqytetin, AKR-ja në marrëveshje me LDK-në kemi garuar në një listë të përbashkët. Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale të 28 dhjetorit, ende nuk kemi marrëveshje. Do ta shqyrtojmë ofertën e kandidatit të LDK-së për kryeministër dhe në ditët në vazhdim do të vendosim për përcaktimin tone”, deklaron Makolli.

Sipas tij, nëse zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk sjellin ndryshime, ngërçet politike do të vazhdojnë, me tendencë të rrezikimit të sovranitetit dhe shtetësisë.

“Ngërçi politik, që zgjati gati një vit, e ka dëmtuar shumë Kosovën, më shumë në rrafshin e brendshëm dhe po ashtu në rrafshin ndërkombëtar, me pasoja që kanë qenë të pariparueshme për vendin. Nëse zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk sjellin ndryshime, sidomos nëse nuk formohet një qeveri që bashkëpunon ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me garantuesit e pavarësisë së Kosovës, SHBA-të, ngërçet politike do të vazhdojnë, me tendencë të rrezikimit të sovranitetit dhe shtetësisë sonë”, shton sekretari.

Ai shton se dy partitë opozitare kërkojnë të bëhet një rirreshtim.

“Në këtë kontekst, dy partitë më të mëdha opozitare po kërkojnë që të bëhet një rirreshtim i subjekteve politike për të dalë fituese në këto zgjedhje, që janë thelbësore për të ardhmen prosperuese të vendit tone”, përfundon Makolli.