Forcat izraelite kanë ndaluar mijëra palestinezë të marrin pjesë në lutjet e xhumasë në xhaminë Al-Aksa, duke e kthyer vendin e shenjtë thuajse në boshatisje, shkruan Gazeta Sinjali.
Ushtarët izraelitë u vendosën rreth portave të jashtme të xhamisë dhe atyre të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit herët të premten, duke penguar hyrjen e besimtarëve.
Sipas burimeve lokale, më pak se 500 persona arritën të hyjnë në oborrin dhe zonat e lutjeve të Al-Aksas, një numër shumë i vogël në krahasim me dhjetëra mijëra besimtarë që zakonisht marrin pjesë në lutjen e së premtes.
Izraeli ka arsyetuar masën me pretendimin për sigurinë publike, për shkak të tensioneve pas sulmeve raketore nga Irani. Megjithatë, shumë palestinezë dhe përfaqësues të komunitetit fetar shprehen të shqetësuar se këto masa po përdoren për të ndryshuar realitetin në terren dhe status quo-në historike të xhamisë.
Një burim nga stafi i xhamisë, i cili foli në mënyrë anonime, tha për mediat se vetëm një nga çdo 100 persona që përpiqeshin të hynin po lejohej të kalonte.
“Al-Aksa është bosh. Edhe stafi është i pakët në numër”, deklaroi ai, duke e quajtur njoftimin e mëparshëm për një hapje të pjesshme si mashtrues.