Ja kur do të zgjidhet kryetari i ri i PDK-së

Kryetari i sapo-dorëhequr i PDK-së, Memli Krasniqi ka njoftuar se ka thirrur Konventën e PDK-së për të hënën, më 17 nëntor, ku do të zgjidhet Kryetari i ri i partisë.

“E di se ajo ditë do të jetë dëshmi e pjekurisë sonë politike, e demokracisë sonë të brendshme dhe e forcës sonë për të ecur përpara,” – deklaroi ai.

Kryetari Krasniqi përmbylli fjalimin e tij me mirënjohje për qytetarët, aktivistët, bashkëpunëtorët dhe familjen e tij: “Unë largohem nga detyra e Kryetarit të PDK-së me paqe, me mirënjohje dhe me krenari. Kam bindjen e thellë se PDK do të mbetet në duar të sigurta – në duar të njerëzve që besojnë, që punojnë dhe që bashkojnë. Kjo nuk është lamtumirë – por vetëm mirupafshim. Sepse kjo është shtëpia ime e dytë, shtëpia ime politike, shtëpia e krenarisë sime jetësore.”

Ai ka bërë të ditur se vendimi nuk lidhet me zhvillimet e fundit politike, por është rezultat i reflektimit për të ardhmen e partisë.

“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën”, tha Krasniqi, përcjell Insajderi.