Kajtazi: VV po llogarit në votën e diasporës më 28 dhjetor, por kush ua garanton?
Gazetari Vehbi Kajtazi e komenton mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 28 dhjetor, duke thënë se arsyeja kryesore pse Lëvizja Vetëvendosje këmbënguli në këtë datë lidhet pikërisht me llogaritjet e tyre rreth diasporës.
Ai tha se edhe pse presidentja Vjosa Osmani tashmë e ka konfirmuar 28 dhjetorin si ditën e zgjedhjeve, kjo datë është imponuar nga Vetëvendosje dhe “satelitët” e saj.
Sipas tij, shumica e partive shqiptare kishin propozuar 21 dhjetorin ose muajin janar, ndërsa 28 dhjetori sjell vështirësi të shumta organizative.
“Është festë, nuk janë diplomatët, nuk janë vëzhguesit, dhe votat duhet të numërohen natën e Vitit të Ri”, tha ai, duke shtuar se një datë e tillë nuk përputhet fare me praktikat perëndimore evropiane.
Kajtazi vuri theksin se narrativa e VV-së është se diaspora kthehet për festa dhe i voton ata, por sipas tij ky supozim është i pabazë.
“Logjika e këtyre është se vjen diaspora e i voton këta. Kush po i garanton këtyre se i voton diaspora? Sepse diaspora në zgjedhje e fundit e ka tregu një trend tjetër. Në zgjedhjet e e fundit parlamentare LDK ka marrë vota, pra është në rritje”, thotë Kajtazi në “VV Show”.
Ai shtoi se diaspora ka ndryshuar dukshëm në pesë vitet e fundit, pikërisht gjatë qeverisjes së Kurtit.
“Kur po flasin këta për diasporë, dhe kur po thirret regjimi i Kurtit në diasporë, për cilën diasporë e kanë fjalën. Se diaspora është në rrritje këto 5 vitet e fundit. Prej që Kurti është në pushtet llogaritet që Kosovën e kanë lëshu 170-200 mijë njerëz. Nëse në qeverisjen tane e kanë braktis vendin atëherë këta e kanë pas një arsye”.
Kajtazi solli edhe shembuj, duke thënë se zgjedhjet më 28 dhjetor zakonisht u mbajtën në vende si Kuba, Guinea dhe Serbia.
“E kam pyet chatgbt se ku janë mbajt zgjedhje zakonisht me këtë datë. Dhe më doli se janë mbajt zgjedhjet në Kubë, në Guinea, Serbi, dhe siç e përmenda Kroaci zgjedhjet presidenciale për shkak të afateve kushtetuese, dhe do ti mbajmë edhe ne. Në praktikën perëndimore evropiane, janë dy javë festive, nuk është praktike me u mbajt për shkak se njerëzit festojnë”, tha ai.
