Kërkohet paraburgim për dorasin e vrasjes së trishtueshme në Golluboc të Malishevës

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka marrë aktvendimin për nisjen e hetimeve ndaj të pandehurit Astrit Isufi, dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë për caktimin e masës një muaj paraburgim, raporton KosovaPress.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më 6 nëntor 2025, rreth orës 11:25, në Golluboc të Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta D.M., dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc, në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes shkon te shtëpia e tyre për ta marrë bashkëshorten I.M. dhe fëmijët, të cilët ndodheshin  te familja e tyre me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe D.M. dhe N.M.

Për shkak të problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj I.M., gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre e në momentin kur I.M., përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit në rrugë vëren bashkëshortin e saj duke shtënë disa herë me pistoletë TT në drejtim të vëllait të saj D.M., e më pas edhe në drejtim të N.M.

D.M. dhe N.M., nga plagët e marra mbesin të shtrire përtokë, i pandehuri hedh pistoletën dhe arratiset në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat dërgohen në QKMF Kijevë pa shenja jete.

Astir Isufi është arrestuar më pas nga policia në një shtëpi të braktisur, ku ishte fshehur pasi kreu aktin makabër.

Ai akuzohet se ka kryer veprat penale vrasja e rëndë dhe mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I pandehuri që nga sot me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet në ndalim 48- orësh.