Kjo komunë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Asamble të Komunës, Kryesuesi u zgjodh me një ditë vonesë
Kuvendi Komunal i Junikut ka gjasa të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për këshilltar lokal. MAPL me ligjin për Vetëqeverisjen Lokale obligohet ta njoftojë Qeverinë kur Komunat dështojnë ta zgjedhin Kryesuesin e Kuvendit të tyre brenda 30 ditësh nga themelimi.
Kuvendi i Junikut e kreu këtë votim në ditën e 31-të. Me ligj, Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin lokal, që shkaku i shkeljes së afatit të përcaktuar me ligj konsiderohet jofunksional.
Ruzhdi Shehu më 12 dhjetor 2025 dha betimin për mandatin e dytë në krye të Junikut. Pos tij, në të njëjtën seancë u betuan edhe 15 asamblistët e Kuvendit Komunal, të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit 2025, duke themeluar kështu legjislaturën e re lokale në komunën e vogël të rajonit të Dukagjinit.
Për dallim nga Shehu që me betimin para Kuvendit Komunal nisi funksionalizimin e mandatit të ri në krye të qytezës, përfaqësuesit e zgjedhur të asamblesë së Junikut kishin për obligim ta kryenin edhe një detyrë: Zgjedhjen e kryesuesit të tyre. Brenda afatit të caktuar. Në rastin e kundërt u rrezikohet mandati të 15-ve.
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale që rregullon funksionimin e Komunave dhe Kuvendeve të tyre Komunale, parasheh që kjo të bëhet brenda 30 ditësh nga themelimi i tyre.
Në rast se nuk ndodhë, i njëjti ligj, nënparagrafin a) të paragrafit të dytë të nenit 50, me automatizëm parasheh që Kuvendi i Komunës konsiderohet jofunksionues, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kuvendi i Junikut kryesuesin e zgjodhi tek më 12 janar 2026. 31 ditë pas betimit të kryetarit dhe këshilltarëve komunal, që nënkupton themelimin e legjislaturës së re lokale.
Në krye të saj u vu Leonard Llolluni i AAK-së, i cili i siguroi edhe votat e LVV’së, duke ia marrë kështu opozita postin e rëndësishëm LDK-së, e cila me Ruzhdi Shehun qeverisë komunën.
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, në paragrafin 3 të Nenit 50, thotë se në raste të tilla kur kuvendi komunal konsiderohet jofunksional, pasi ka dështuar që brenda 30 ditësh ta zgjedhë Kryesuesin, Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale [MAPL] e njofton Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e komunës.
“Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues”, thuhet në të njëjtin paragraf.
Shpërndarja e Kuvendit të Komunës, në këtë rast, nënkupton me automatizëm shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme vetëm për 15 përfaqësuesit e Kuvendit të Junikut, por jo edhe për Kryetar të Komunës, i cili në balotazhin e 9 nëntorit siguroi edhe katër vitet e ardhshme në krye të Junikut, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Zgjedhjet e reja për kuvendin e komunës mbahen në pajtim me ligjin për zgjedhjet komunale”, thuhet në paragrafin e 4 të Nenit 50 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Të pyetur rreth kësaj situate të krijuar në Junik, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të enjten, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje nëse janë duke e shqyrtuar rastin dhe nëse Kuvendi Komunal atje do të shkojë në zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme. As Qeveria e Kosovës nuk tregoi nëse janë njoftuar nga MAPL-ja për situatën në Junik dhe nëse do ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues.
Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, data e shpalljes së zgjedhjeve nëpër komuna, pas shpërbërjes së Kuvendit Komunal, kur janë të parakohshme shpallen nga Presidenti i vendit, jo më vonë se 10 ditë nga shpërbërja e Asamblesë, nëse brenda 5 ditësh nuk parashtrohet ndonjë ankesë tek Gjykata Kushtetuese.
“Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes”, thuhet në paragrafin 4 të Nenit 4 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.
“Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave”.
Për dallim nga Juniku, Mitrovica e Jugut e “evitoi rrezikun për zgjedhje të reja komunale” duke mbledhur Kuvendin lokal në mbrëmjen vonë të 12 janarit 2026, para se të hynin në ditën e 31-të të afatit. Aty Kryesues u zgjodh Safet Kamberi i LDK-së që arriti marrëveshje bashkëqeverisëse me Faton Pecin, kryetarin e komunës nga LVV-ja.
