Kjo parti i kërkon bashkëpunim PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit
Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë,Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i ka dërguar letër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Në të thuhet që partia e tij të jetë pjesë e listës së PDK-së, për të garuar në zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmbajtja e plotë e letrës:
NISMA Socialdemokrate
Prishtinë, 07.05.2026
Ref: 16/2026
I nderuari z. Bedri HAMZA, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës,
Në frymën e përgjegjësisë politike dhe shtetërore, si dhe duke respektuar kërkesën dhe pritjen e vazhdueshme të shumë qytetarëve, mbështetësve dhe strukturave tona për bashkimin e potencialit politik që përfaqësojnë PDK-ja dhe NISMA Socialdemokrate, përmes kësaj shkrese ju paraqesim zyrtarisht gatishmërinë tonë për pjesëmarrje në listën zgjedhore të PDK-se për zgjedhjet e 7 qershorit.
NISMA Socialdemokrate dhe unë, si kryetar i saj, kemi shprehur vazhdimisht, si para këtyre zgjedhjeve ashtu edhe në vazhdimësi, gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik në funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ne besojmë se një bashkim i tillë nuk përfaqëson vetëm një marrëveshje politike apo elektorale, por edhe një frymë të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve dhe strukturave që për vite të tëra kanë ndarë ideale, sakrificë dhe vizion të përbashkët për Kosovën.
Në këtë frymë, dëshirojmë të theksojmë se angazhimi ynë nuk udhëhiqet nga kërkesa të veçanta politike apo organizative, por nga bindja se bashkimi dhe koordinimi i potencialit opozitar është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Njëkohësisht, shprehim gatishmërinë tonë për të dhënë kontributin e plotë politik, organizativ dhe elektoral në kuadër të këtij procesi të përbashkët.
Duke besuar në mirëkuptimin, respektin reciprok dhe vullnetin për bashkëpunim, mbetemi të gatshëm për koordinimet dhe hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces.
Me respekt,
Fatmir LIMAJ
Kryetar
NISMA Socialdemokrate
