Kosova ngjitet edhe për katër pozita në ranglistën e FIFA-s

Rritja e Kosovës është konfirmuar edhe në ranglistën e re të FIFA-s të publikuar të mërkurën. Kosova me renditjen e re të FIFA-s tani zë pozitën e 80-të, katër pozita më lartë se që ishte në renditjen e publikuar më 17 tetor.

Vendi i 84-t ishte historik në muajin e kaluar. Tjetër histori në renditje në renditjen e FIFA-s është shkruar të mërkurën dhe kjo është arritur pas suksesit historik nga Kosova. Në ndeshjet e fundit të muajit nëntor, Kosova fitoi në udhëtim te Sllovenia me rezultatin 2:0 në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë më 15 nëntor, kurse më 18 nëntor, barazoi 1:1 me Zvicrën.

Kosova Grupin B kualifikues të Botërorit 2026 në Kanada, Meksikë dhe SHBA e mbylli në pozitën e dytë me 11 pikë, duke lënë prapa Slloveninë me katër pikë dhe Suedinë me dy pikë.

Zvicra e fitoi grupin me 14 pikë. Shqipëria është ngjitur për pesë pozita në këtë muaj në ranglistën e re të publikuar nga shtëpia botërore e futbollit. Shqipëria tani është në pozitën e 61-të. Shqipëria e pati një fitore 1:0 në udhëtim tek Andorra më 13 nëntor, ndërsa më 16 nëntor në “Air Albania” në Tiranë, u mposht 2:0 nga Anglia.

Si Kosova ashtu edhe Shqipëria kanë avancuar në plejofin e Botërorit 2026 dhe është sukses historik, pasi më parë nuk është arritur një arritje e tillë. Të enjten, Kosova dhe Shqipëria, që janë në vazon e tretë, do të mësojnë kundërshtarët e plejofit të Botërorit të vitit të ardhshëm.

Ndeshjet gjysmëfinale të plejofit luhen më 26 mars, ndërsa finalet luhen më 31 mars.