Krasniqi tregon arsyet e dorëheqjes nga posti i Kryetarit të PDK-së

Memli Krasniqi ka folur pas dorëheqjes nga posti i Kryetarit të PDK-së. Ai tha se kjo dorëheqje e tij nuk lidhet me zhvillimet e fundit, por që ka qenë reflektim i gjatë mbi atë se çka i duhet partisë.

“Jam krenar me atë që kemi arritur, por s’është përmbushje e ambicieve tona. Megjithatë secili kryetar e mendon njëjtë, ditën kur e merr detyrën e mendon se si do të largohet dhe sot pas shumë kohësh ka ardhur momenti i duhur, sepse një parti që beson në zhvillim duhet të besoj në ripërtëritje. Prandaj sot kam vendosur që të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së”.

“Nuk është vendim i momentit dhe nuk lidhet me zhvillimet e fundit. Është reflektim më i gjatë mbi atë çka i duhet PDK-së. Është nevoja për të krijuar një mundësi të re. Dhe si dikush që nuk ka pasur ambicie për të qenë Kryeministër i vendit, e mendoj se kandidati ynë duhet të jetë edhe kryetari i partisë. PDK është më shumë se një parti, amanet nga ata që luftuan për liri”, tha Krasniqi në konferencë.

Tutje ai shtoi se si “PDK kemi kaluar shumë sfida dhe shumë momente krenarie, në tri palë zgjedhje PDK është rritur dhe forcuar”.

Ish-kreu Krasniqi theksoi se PDK-ja është parti që ka shkruar faqet më të ndritura të Kosovës.

“Partinë që ka shkruar faqet më të ndritura të kosovës, partinë që e kanë udhëhequr dy burra para meje, Thaçi dhe Veseli. Prej tyre kam mësuar se lidershipi është përulësi”, shtoi ai.

“Mbi 20 vjet angazhim me PDK-në kam pasur nderin të punojë për shtetin dhe qytetarët, të rrugëtojë nga kryetari i rinisë deri te Kryetari i PDK-së. Dhe mbi të gjitha kam pas krenarinë jetësore që ta nënshkruar edhe deklaratën pavarësinë e Kosovës. Një familje politike që më mësoi se dashuria për Kosovën është më e madhe se çdo dallim”.