13.7 C
Pristina
E hënë, 12 Maj, 2025

Kujt i dridhet dora? – VV thotë Albulena merr 70 vota

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka thënë se PDK, LDK e AAK po përdorin standard të dyfishtë duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese mënyrën e votimit për kryeparlamentar, përmes votës së fshehtë.Ai në një intervistë për Gazeta Blic, tha se opozita nuk është e sigurt për deputetët e saj për votën e tyre për Albulena Haxhiun.

“Është standard i dyfishtë, edhe anëtarët e Kushtetueses edhe shumë pozita të larta votohen me votim të fshehtë. Parlamenti i ka dy mënyra për të votuar, publike dhe të fshehtë. Mendoj se këta kanë pasiguri pasi shumë deputetë të opozitës kanë thënë se mund të votojnë kandidatja dhe të vazhdohet tutje. i kemi parë deklaratat. Andaj këta nuk kanë guxim sepse kanë frikë se do të votohet dhe kandidatja do të kalojë”, u shpreh ai.Deputeti tha se është i bindur që me votim të fshehtë, Albulena Haxhiu do t’i marrë 70 vota.

 

“Deputetë të caktuar nuk guxojnë të votojnë në mënyrë të hapur pasi mund të ndëshkohen nga partitë. Andaj e kemi parë të arsyeshme që të bëhet votimi i fshehtë dhe të shohim a do të kalojë Albulena Haxhiu dhe mendoj se me votim të fshehtë do të votohet me deri në 70 vota, siç e dimë ne në parti”, theksoi ai.Megjithatë, Bajqinovci nuk përmendi emra.

“Ata vetë e kanë shprehur, edhe publikisht kanë thënë. E kanë thënë nëpër media, s’dua të përmend emra sepse po bëhen objekt i mediave dhe edhe i partive të tyre, por ne kemi thënë edhe ne edhe kryeministri Kurti se nuk negociojmë me pozitën e kryetarit të Kuvendit, për qeveri po, mund të ketë negociata”, potencoi deputeti për Gazeta Blic.Sa i përket numave, ai tha se i kanë 57.

“Ka pasur mungesë të deputetëve në seancën e kaluar sepse ne i kemi çdoherë 57 vota”.Po ashtu, ai theksoi se nuk do ta ndryshojnë emrin e kandidates për kryetare të Kuvendit dhe se negociata mund të ketë vetëm për qeveri.

“Mendoj se opozita duhet të reflektojë dhe kur të përfundojë çështja e Kuvendit, atëherë të shohim se kush i ka numrat për formimin e qeverisë”, deklaroi ai.Bajqinovci tha se me propozimet që po bëjnë partitë për emra për kryetar të Kuvendit, po tentojnë ta theyjnë grupin parlamentar të VV-së.
“Opozita po tenton ta thyejë grupin parlamentar duke propozuar emra të ndryshëm. Ne e kemi propozuar gruan më të votuar në Kosovë për kryetare të Kuvendit dhe që ka përvojë më së shumti parlamentare. Këto janë vendime të partisë të cilat merren”, përfundoi deputeti Mefail Bajqinovci.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here