Dy vëllezërit e vrarë në Gullbovc të Malishevës janë Driton dhe Naim Morina, i dyshuari ende në arrati
Ngjarja tragjike që tronditi sot fshatin Gullbovc të Malishevës ka marrë përmasa të rënda, pasi viktima të saj janë dy vëllezër nga ky fshat Driton Morina dhe Naim Morina.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e të dyshuarit, duke angazhuar edhe njësinë speciale me qen (K9) në zonën malore ku dyshohet se mund të jetë fshehur ai.
“Njësitë policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Është identifikuar një person i dyshuar dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për arrestimin e tij”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Drejtori rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, ka konfirmuar se motivet e para dyshohet të jenë mosmarrëveshje familjare.
Trupat e pajetë të Driton dhe Naim Morinës janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Hetimet për këtë vrasje të dyfishtë po vazhdojnë me intensitet të lartë, ndërsa policia ka shpërndarë forca në terren për kapjen e autorit të dyshuar, Astrit Isufi. IndeksOnline ka siguruar fotografinë e njërit prje viktimave, Naim Morinës.





