Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe, reagojnë nga Beogradi

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, ka pretenduar se “goditja e re e Albin Kurtit ndaj Listës Serbe dhe përpjekja për t’ia ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme përfaqësojnë dëshmi të nervozizmit të tij dhe frikës nga një debakël final në zgjedhjet e 28 dhjetorit”.

“Siç kemi theksuar shumë herë, Kurti nuk ka çfarë t’i ofrojë elektoratit të tij, përveç urrejtjes ndaj gjithçkaje serbe, nuk ka asnjë program ekonomik, prandaj ndërmerr një lëvizje të re të dëshpëruar për t’u mbajtur artificialisht në pushtet”, pretendohet në kumtesën e Petkoviqit, transmeton Paparaci.

Me përpjekjen për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje, sipas fjalëve të Petkoviqit, “Kurti dëshiron me forcë ta shtyjë përsëri të përkëdhelurin e tij, Nenad Rashiqin, në, siç shprehet ai në këtë propagandë, “parlamentin e Prishtinës”, sepse e di mirë që populli serb nuk e do dhe se ai nuk përfaqëson askënd tjetër përveç “pushtetit antiserb nga Prishtina”.

Ai gjithashtu ka thënë se “ky është përpjekja e tretë brenda një viti që Kurti bën gjithçka për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, sepse ajo është e vetmja që lufton “për interesat e popullit serb” dhe përfaqëson një pengesë ndaj ëndrrës së Kurtit për një Kosovë etnikisht të pastër”.

“Një gjë megjithatë është e sigurt, dhe këtë mësim edhe Kurti duhet ta mbajë mend mirë – ndaj çdo goditjeje ndaj popullit tonë dhe Listës Serbe, serbët më 28 dhjetor do të përgjigjen me një unitet dhe harmoni edhe më të fuqishme”, ka shfrytëzuar Petkoviqi këtë kumtesë për të bërë fushatë për partinë e regjimit serb të instaluar në Kosovë.

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk e ka verifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

Ish deputetja e VV-së i përgjigjet ambasadës amerikane: SHBA duhet të kujtojë Banjskën – Radoiçiq ka aktakuzë

Më herët ambasada amerikane në Kosovë lëshoi një reagim ku tha se përpjekjet e LVV për moscertifikim të Listës Serbe janë përçarëse, shkruan Mitrovica SOT

Ish-deputetja mitrovicase shprehu habinë me këtë deklaratë, duke përmendur faktin se Lista Serbe është e angazhuar për ndarjen e Kosovës dhe se kryetari i saj de facto ka aktakuzë për veprimet e tij për aneksimin e veriut.

Postimi:

Si mund të jetë veprim përçarës moscertifikimi i Listës Serbe në zgjedhjet e dhjetorit?

LS është angazhuar për ndarjen e Kosovës dhe kryetari i saj de facto, Millan Radoiçiq, ka aktakuzë për synimet e tij për aneksimin e veriut të Kosovës me rastin e sulmit në Banjska.

Ish ministri i Kurtit merr një detyrë të re

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është zgjedhur drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës, në Universitetin e Prishtinës.

Lajmin e ka bërë të ditur vet UP-ja, duke thënë se kjo qendër do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara.

“Qendra pritet të angazhojë profesionistë mjekësorë dhe inxhinierë nga vendi dhe bota, me qëllim ofrimin e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillimin e programeve të avancuara të trajnimit” thuhet në njoftimin e UP-së, shkruan IndeksOnline.

Mes të tjerash, nga Universiteti i Prishtinës bëjnë me dije se tashmë është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet UP-së dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që parasheh mënyrën se si do të funksionojë kjo qendër.

Ky është njoftimi i plotë i Universitetit të Prishtinës:

Prof. Rifat Latifi është zgjedhur drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës. Ai është gjithashtu themelues dhe president emeritus i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe ideator i QKSTK-së.

Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës në UP do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara. Qendra pritet të angazhojë profesionistë mjekësorë dhe inxhinierë nga vendi dhe bota, me qëllim ofrimin e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillimin e programeve të avancuara të trajnimit.

Objektivat kryesore të QKSTK-së përfshijnë krijimin e programeve gjithëpërfshirëse, përmirësimin e aftësive kërkimore dhe integrimin e teknologjive të avancuara. Qendra do të shërbejë gjithashtu si platformë edhe për publikimet e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe do të zhvillojë bashkëpunime me universitete e institucione ndërkombëtare.

Përfshirja e laboratorëve të simulimit, programeve të telemjekësisë dhe përgjithësisht një qasjeje multidisiplinare ndaj trajtimit të traumës dhe urgjencës, do të jetë thelbësore në punën e QKSTK-së. Në këtë kuadër, QKSTK-ja do të prodhojë edhe literaturë shkencore dhe do të mbështesë diplomacinë mjekësore dhe shëndetin global.

Drejtori i sapozgjedhur i qendrës, prof. Latifi, theksoi se ajo do të jetë një institucion kryesor për arsimim, kërkim dhe avancim teknologjik në fushën e kirurgjisë, duke përfshirë mjekësinë kirurgjikale, traumën dhe urgjencën.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, shprehu kënaqësinë e tij për emërimin e prof. Rifat Latifit në funksionin e drejtorit të QKSTK-së në UP.

Prof. Hajrullahu theksoi se QKSTK-ja, si qendra e parë e këtij lloji në rajonin e Ballkanit, do të ofrojë mundësi të reja për studentët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimin e teknologjive moderne për të avancuar standardet e kujdesit shëndetësor në Kosovë e përtej.

Rektori shfaqi bindjen se nën udhëheqjen e prof. Rifat Latifit, QKSTK-ja do të kontribuojë për zhvillimin e mjekësisë kirurgjikale dhe do të inkurajojë kërkimin shkencor dhe inovacionin për të përballuar sfidat e ardhshme në fushën e shëndetësisë. Profesori Hajrullahu gjithashtu bëri thirrje për mbështetje nga institucionet e ndryshme për të realizuar qëllimet ambicioze të kësaj qendre, duke e vendosur Kosovën si lider në arsimin dhe shëndetin kirurgjik. “Qendra jonë do të jetë një platformë për edukim, hulumtim dhe zhvillim profesional, për të krijuar një të ardhme më të mirë për profesionistët e kujdesit shëndetësor në Kosovë”, tha rektori Harullahu.

Në përfundim, prof. Latifi shprehu bindjen se QKSTK-ja është një nga iniciativat më ambicioze në fushën e shëndetësisë dhe edukimit kirurgjik në Kosovë, prandaj i duhet mbështetje serioze nga shteti i Kosovës për të realizuar potencialin e saj në vend e në tërë rajonin.

Në shtator të vitit 2025, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës nënshkruan memorandum mirëkuptimi me të cilin parashihet në detaje se si do të funksionojë Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës.

Musliu-Shoshi: Se Albin Kurti është pengues i marrëdhënieve me ShBA-në e konfirmon edhe Senati Amerikan!

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se institucionet amerikane po e shohin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si pengesë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton IndeksOnline.

Sipas saj, një debat i mbajtur në Senatin Amerikan e ka ngritur hapur këtë çështje. Ajo thotë se Kongresmeni Keith Self ka pyetur ekspertët Edëard Joseph, Luke Coffey dhe Max Primorac nëse “burokratët e Departamentit të Shtetit e shohin Kurtin si pengesë”.

Në bazë të deklaratave që Musliu-Shoshi i ka cituar, përgjigjja e ekspertëve ishte pozitive, duke e përforcuar qëndrimin e saj se Qeveria e Kosovës po cenon marrëdhëniet me SHBA-në.

Musliu-Shoshi ka kritikuar vazhdimisht qasjen e kryeministrit Kurti në raport me aleatët strategjikë, duke e cilësuar atë si të dëmshme për interesat e vendit.

Statusi i saj i plotë:

 

A do të ndahen 100 euro për fundvit për fëmijët?

6 nëntor të këtij viti është bërë pagesa e parë për studentët.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se përfituan gjithsej 49,623 studentë të të gjitha drejtimeve e institucioneve arsimore, publike e private që janë procesuar me grupin e parë.

Pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret për përfitim do të shqyrtohen dhe procesohen me grupin e dytë në ditët në vijim.

A do të ndahen edhe për fëmijët?

Por pasi studentët u mbështeten me 100 euro, shtrohet pyetja nëse do të ketë edhe këtë vit ndarje të 100 eurove për fëmijët — ashtu siç ndodhi vitin e kaluar, por deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga qeveria në detyrë, dhe për këtë çështje nuk ka folur ende Kurti.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2024, Kryeministri Albin Kurti kishte njoftuar se Qeveria ka ndarë nga 100 euro për të gjithë fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjet, të cilët janë përfitues të shtesave mujore për fëmijë.

“Pra, të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni të moshës 0 deri në 16 vjet dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti i juaj, por është një investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve pa dallim,” kishte deklaruar Kurti para gazetarëve më 2024.

Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse do të ndahen sërish nga 100 euro për fëmijët apo jo.

LDK-ja sot nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me këtë parti

Sot pritet të nënshkruhet  marrëveshja për koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe  Aleancës Kosova e Re për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Burime të IndeksOnline  bëjnë me  dije se marrëveshja do të nënshkruhet pasditën e së mërkurës.

Sipas kësaj marrëveshjeje, AKR do t’i ketë tre kandidatë në listën e LDK-së për deputetë.

LDK-ja po ashtu ka arritur marrëveshje  edhe me  Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, vjen lajmi i fundit

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “Johns Hopkins”, ka vlerësuar se për Kosovën, aktualisht, anëtarësimi në NATO është çështje më e rëndësishme sesa integrimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Joseph mori pjesë në një seancë të Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku u diskutua tema “Pika e Tensionit: Një Rrugë drejt Stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Ai u pyet nga kongresmeni demokrat, Bill Keating, për rolin e ndihmës së SHBA-së në stabilitetin rajonal dhe të ardhmen e Kosovës në BE dhe NATO.

Duke iu përgjigjur, Joseph theksoi se ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Një rrugë drejt NATO-s, qoftë edhe vetëm një rrugë, do ta përfundonte në mënyrë efektive bllokadën, sepse në atë moment Serbia nuk do të kishte alternativë tjetër. Fushata e saj e mosnjohjes, varësia nga Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të humbnin çdo peshë”.

Profesori amerikan shtoi se mbështetja e vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake e SHBA-së për Kosovën është thelbësore për interesat e Amerikës:

“Duhet të kujtojmë se SHBA-ja dhe NATO-ja tashmë e kanë obligimin dhe përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e Kosovës nëpërmjet KFOR-it. Forcimi i sigurisë ekonomike dhe ushtarake të Kosovës përmes marrëdhënieve dypalëshe shërben drejtpërdrejt edhe interesave tona të sigurisë”.

Parashikimi i motit për nesër dhe ditët në vazhdim, rikthehen reshjet e borës

Vranësira të shpeshta, intervale kohore me diell kryesisht të shkurtra dhe atë vetëm në disa rajone si dhe rrebeshe lokale-kalimtare shiu do të karakterizojnë ditën e mërkurë në territorin e Kosovës.

Temperaturat pritet të luhaten nga -1 minimalja deri në 10 gradë Celsius ajo maksimale.

Në Shqipëri e mërkura sjellë rikthim të reshjeve më intensive në shumë zona të Shqipërisë ku vende-vende do të ketë rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë. Në malet më të larta në veri dhe lindje të Shqipërisë, veriperëndim të Maqedonisë së Veriut dhe jug të Kosovës do të ketë reshje kryesisht të pakta bore.

Reshje lokale shiu nesër priten edhe në Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi ku priten reshje më intensive sidomos në jug të Malit të Zi.

Edhe dita e enjte dhe e premte do të karakterizohen me vranësira e reshje të herëpashershme, lokale shiu. Më pak reshje priten në Kosovë e dukshëm më shumë reshje e rrebeshe shiu priten në pjesë të Shqipërisë, por reshjet nuk do të jenë pa ndërprerje, prandaj priten edhe periudha pa reshje.

Po ashtu edhe fundjava vjen me mot të paqëndrueshëm, me vranësira e reshje shiu të karakterit lokal. Borë vetëm në male. Të dielën ka gjasa që të ketë përmirësim të motit, por kjo mbetet të shihet./MeteoBallkan

 

Lulzim Aliu, kandidat i PDK-së për deputet

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka dalë me listën zyrtare me emrat e kandidatëve për deputetë, por Lulzim Aliu do të jetë në këtë listë.

Lulzim Aliu do të jetë kandidat për deputet dhe deri në këtë kohë ka shërbyer si nënkryetar i Komunës së Ferizajt që drejtohet nga Agim Aliu.

Lajmin për Aliun si kandidat për deputet e ka bërë të ditur një faqe e PDK-së në Ferizaj në rrjetin social Facebook.

Tahiri nuk habitet nga arrestimi i Mogherinit: Ajo hapi derën për ndarjen e veriut të Kosovës

Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, ka reaguar pas arrestimit të Frederica Mogherinit, ish-kryediplomate e BE-së.

Tahiri ka shkruar se nuk është habitur për arrestimin e Mogherinit.

Tutje, Tahiri ka përmendur idenë e korrigjimit të kufijve, të cilën e përkrahte Mogherini dhe po ashtu ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaci.

“Nuk u habita per arrestimin e saj sepse mbi keto baza korruptive Federica Mogherini hapi deren per lojerat e kufijve dhe ndarjen e veriut te Kosoves, te cilat lojera ne i mposhtem me vendosmeri ndersa vulen e mposhtjes ia dha Angela Merkel” – ka shkruar Tahiri.