Qeveria i kërkon SHBA-së mbështetje për gazifikim të thëngjillit, e jo përfshirje në rrjetin rajonal për gazin amerikan
Derisa SHBA-ja ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e projektit rajonal për gazin amerikan, Qeveria në detyrë ka dhënë një propozim tjetër. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deponuar në Ambasadën Amerikane një kërkesë për mbështetje për projekte që lidhen me gazifikimin e qymyrit, duke u thirrur në rezervat e mëdha të linjitit dhe në politikat e presidentit Donald Trump për mbështetjen e industrisë së qymyrit.
Qeveria i është ofruar administratës amerikane për bashkëpunim në projekte për gazin, por jo për lidhje në rrjetin rajonal, për të cilin insiston SHBA-ja.
Këtë e ka bërë nëpërmjet një letre, që në muajin prill, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ia ka adresuar së dërguarës me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati. Në letrën që KOHA raporton se e ka siguruar, Qeveria ka kërkuar nga SHBA-ja mbështetje teknike e edhe investime amerikane në sektorin e energjisë me bazë qymyrin.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) historikisht ka operuar një fabrikë të gazifikimit të tipit Lurgi gjatë viteve ‘70 dhe fillimit të viteve ‘80, e ngjashme me Fabrikën e Karburanteve Sintetike Great Plains në Dakotën e Veriut. Ne do ta mirëpritnim mundësinë për të eksploruar fizibilitetin e ringjalljes së një objekti të tillë me programet e mbështetjes së energjisë të SHBA-së, duke e rreshtuar potencialisht këtë iniciativë brenda fushëveprimit të bashkëpunimeve të mëparshme të suksesshme midis Ministrisë sonë dhe Aktivitetit të Kosovës për Qëndrueshmërinë e Energjisë”, thuhet në letrën e Rizvanollit.
Në letër Rizvanolli ka theksuar se për të ka mbështetjen e plotë të kryeministrit Albin Kurti. Atë e ka nisur në Ambasadën amerikane, pak ditë pas një takimi që e ka zhvilluar me Prattipatin, e në të cilin ishte diskutuar zgjerimi i mundësive të energjisë dhe minierave mes SHBA-së dhe Kosovës.
Pas letrës së Rizvanollit, Prattipati publikisht i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me SHBA-në përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.
Por, kryeministri Kurti dhe as zyrtarë të tjerë të Qeverisë në detyrë, nuk kanë shprehur gatishmëri për përfshirje në projekt.
Eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka thënë se ekzistojnë paradokse në kërkesën e Qeverisë për SHBA-në, për mbështetjen në analizën dhe projektin e gazifikimit të thëngjillit.
“E para është se SHBA-ja veç se ka bërë një ofertë konkrete drejtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e rrjetit rajonal të gazit, të konsumimit të gazit amerikan dhe në këtë rast shtohet pyetja nëse linijti i gazifikuar mund të jetë konkurrues me gazin amerikan duke e ditur se ai gaz do të vije për një konsum në masë të madhe dhe do të jetë shumë konkurrues”, ka thënë ai.
Ndërtimi i impianteve të gazifikimit të thëngjillit, sipas Haxhimusës, bie ndesh me standardet mjedisore të BE-së ku shteti synon të anëtarësohet, dhe mbetet financiarisht i papunueshëm, për shkak se institucionet ndërkombëtare kanë bllokuar fondet për këtë teknologji.
E, në letrën që Rizvanolli ia ka dërguar Prattipatit, është theksuar se Kosova zotëron rezervat më të mëdha të linjitit në Evropë, të vlerësuara në rreth 12.44 miliardë tonë. Në të është thënë po ashtu se në dritën e njoftimeve të fundit të presidentit Trump në mbështetje të nismave të reja për qymyrin, Kosova dëshiron të angazhohet me ekspertizë teknike dhe investime amerikane.
Mospërfshirja e mundshme e Kosovës në rrjetin rajonal të gazit amerikan ka nxitur edhe përplasje politike. Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, të shtunën ka bërë thirrje për protestë me kërkesën që Kosova të bëhet pjesë e projektit të gazit amerikan. Ai madje e ka quajtur antiamerikane Vetëvendosjen në pushtet.
“Arsyet e dhëna nga Qeveria e Kosovës për refuzimin e projektit të gazit janë të natyrës ekonomike dhe plotësisht të pabaza. Është deklaruar se projekti përmban rreziqe dhe se duhen informata shtesë për të vlerësuar nëse është ekonomikisht i leverdishëm. Është deklaruar se strategjia e re energjetike e Kosovës, parasheh ripërtëritjen e kapaciteteve ekzistuese me qymyr dhe krijimin e kapaciteteve të reja nga burime të ripërtëritshme. Dhe së fundmi, shfaqet papritur edhe interesimi i Qeverisë për idenë e shndërrimit të qymyrit në gaz sintetik”, ka shkruar në Facebook deputeti i zgjedhur i LDK-së. Hoti ka shtuar tutje se asnjë nga këto arsyetime nuk bie ndesh dhe nuk e përjashton projektin e gazit amerikan.
Atij i ka reaguar deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli. Ai ka ironizuar duke thënë se duhet mbrojtur LDK-në, pasi, sipas tij, kësaj partie po i ndërrohet qiramarrësi. Kërçeli ka theksuar se për aleancën me SHBA-në ka kush kujdeset dhe kush e mbron.
Çështja e gazit konsiderohet një prej kushteve që eksponentë të opozitës e kanë përmendur si kusht për koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve. Lidhja Demokratike, zyrtarë të lartë të së cilës kanë shprehur gatishmëri për negociata koalicioni, kanë premtuar në fushatë edhe termocentral me gaz, që do të vendosej në Ferizaj, jo larg kufirit me Maqedoninë e Veriut, nga ku mund të lidhej Kosova me projektin amerikan.
Deri tash, kryeministri në detyrë Kurti, nuk ka shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në projekt, pavarësisht apelit që së fundmi e ka bërë Ambasada Amerikane. Por, të premten, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ka pohuar se qeveria ka diskutime me SHBA-në rreth çështjes së gazit, por ka theksuar se, kjo temë është mes shumë të tjerave që diskutohen me vendet aleate. Siç ka thënë ajo, vendimet i marrin duke u bazuar në interesin e Kosovës.
Së fundmi është bërë thirrje që institucionet e Kosovës të veprojnë shpejt për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar si të domosdoshëm për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.
Madje, nga odat ekonomike në Kosovës është thënë se refuzimi i gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin me SHBA-në.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur synimin ta ndryshojnë mënyrën se si furnizohet me energji Ballkani Perëndimor, duke bërë një rrjet marrëveshjesh për importin e gazit të lëngshëm.
Qëllimi është të ulet varësia e rajonit nga Rusia dhe të forcohet korridori energjetik nga jugu drejt Evropës Qendrore. Për këtë, janë planifikuar projekte në disa vende të rajonit – nga Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në Kosovë dhe në Serbi. Këto projekte përfshijnë gazsjellës të rinj, terminale për gazin e lëngshëm dhe termocentrale me gaz, dhe mbështeten politikisht dhe financiarisht nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit dhe mbështetet plotësisht në termocentralet me qymyr.
Projekti për një interkonektor gazi me Maqedoninë e Veriut është përfshirë më herët në planin investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, por është ndalur për shkak të, siç kanë thënë nga Qeveria, kostove të larta dhe fokusit strategjik në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Tubacioni do t’i jepte Kosovës qasje në gaz nga terminalet greke të LNG-së në Detin Egje, dhe ideja ishte të ndërtohej edhe një tubacion drejt Shqipërisë.
Kosova ka refuzuar të investojë rreth 200 milionë dollarë amerikanë në infrastrukturën e gazit përmes programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe i ka devijuar fondet në sistemet e ruajtjes së energjisë në bateri.
